Kasami dhe Gashi nënshkruan deklaratë bashkëpunimi: Front opozitar për mbrojtjen e interesave integruese, shqiptare dhe qytetare

Kryetarët e Lëvizjes BESA dhe Alternativës, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar deklaratë të përbashkët, në tentim për të krijuar “front opozitar për mbrojtjen e interesave integruese, shqiptare dhe qytetare”, transmeton Portalb.mk.

“Arsye e këtij takimi ishte zyrtarizimi i gatishmërisë për të bashkëpunuar dhe për t’i bashkërenduar aktivitetet politike të të dyja partive në drejtim të ndërtimit të një kampi opozitar që, fillimisht, do t’i artikulojë dhe mbrojë interesat strategjike integruese të vendit, ato etnike shqiptare dhe, në përgjithësi, ato qytetare, ndërsa më tej do të synohet që ky bashkëpunim të shtrihet në nivele të tjera të ndërveprimit politik”, thuhet në njoftimin e partive.

Bilall Kasami dhe Afrim Gashi, foto nga partitë
Bilall Kasami dhe Afrim Gashi, foto nga partitë

Ata shtojnë se duke qenë në një kapërcyell të rëndësishëm, “kur procesi integrues po ngec, kur korrupsioni politik është bërë suksesi i vetëm i këtij pushteti, ndërsa të drejtat etnike shqiptare përsëri vihen në peshore të disfavorshme, momenti historik imponon që të gjitha forcat politike shqiptare, por jo vetëm politike, të bashkëpunojmë për ta deligjitimuar këtë qeverisje të korruptuar, të paaftë dhe të dëmshme për interesat e vendit dhe të shqiptarëve. Për këtë qëllim, dy kryetarët, Kasami dhe Gashi, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, që është zotimi formal i dy partive përkatëse për ta zyrtarizuar këtë dakordim”.

Partitë njoftojnë se për hapat e mëtejmë, për mundësitë e reja të bashkërendimit, si dhe për faktorët e tjerë që do t’i bashkohen këtij kampi, opinioni do të informohet më kohë.

Deklarata e plotë:

Deklarata e Lëvizjes BESA dhe Alternativës, e nënshkruar nga Bilall Kasami dhe Afrim Gashi
Deklarata e Lëvizjes BESA dhe Alternativës, e nënshkruar nga Bilall Kasami dhe Afrim Gashi

Ndryshe, partia, Alternativa u krijua në vitin 2019-të, pasi u shkëput nga Lëvizja BESA për shkak të mosmarrëveshjeve me kryetarin e partisë Bilall Kasami. Pas dështimit në zgjedhjet lokale të vitit 2017-të Afrim Gashi, dhe një pjesë e partisë, të cilët ishin pjesë e themeluesve të Lëvizjes BESA në vitin 2014, kërkuan dorëheqjen e Kasamit.

Kasami nga ana tjetër refuzoi të dorëhiqet. Madje, grupet e Kasamit dhe Gashit e shkarkuan njëri-tjetrin nga funksionet partiake. Partia u nda në dysh dhe për disa muaj, të dyja palët thirreshin në emrin dhe logon e Lëvizjes BESA, derisa Gjykata Themelore Shkupi 2, vendosi që vulën dhe logon t’ia lë në pronësi Kasamit.

Për këtë, grupi i Gashit formoi dhe partinë Alternativa, e cila për një kohë ishte në koalicion me Aleancën për Shqiptarët, por i ndanë udhët pasi që në dhjetor të vitit 2021 Alternativa iu bashkua koalicionit qeveritar, i cili u riformatua pasi Zoran Zaev dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit dhe kryetarit të partisë LSDM pas humbjes së thellë në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Në ndërkohë ministri i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha, dhe zëvendës ministrat Arafat Shabani dhe Sadat Sulejmani dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre më 11 nëntor të vitit 2021, pas situatës së krijuar pas zgjedhjeve lokale, kur BDI dërgoi ankesë në KSHZ në lidhje me një vendvotim në Komunën e Zhelinës, ku kishte fituar kandidati i Lëvizjes BESA. KSHZ vendosi që të ketë rivotim në këtë vendvotim dhe pas kësaj, Hoxha paralajmëroi se partia të cilit i përket do të del nga Qeveria. Edhe pse më pas, gjykata hodhi poshtë vendimin e KSHZ-së, ministri dhe dy zëvendësministrat e kësaj partie megjithatë dhanë dorëheqjen e paralajmëruar.

Megjithatë, Alterantiva u bë parti opozitare, pasi u largua nga Qeveria pas rindërtimit të fundit të saj, që solli Aleancën për Shqiptarët në shumicën qeverisëse.