Raketat ruse goditën një spital në Ukrainë, raportohet për viktima

Të paktën një person ka vdekur dhe 15 të tjerë janë plagosur në një sulm me raketa në një spital në Dnipro, në lindje të Ukrainës, transmeton REL.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi sulmin dhe tha se autoritetet po punonin për të shpëtuar të tjerët nga spitali.

Zelensky postoi në Twitter një video të ndërtesës së dëmtuar që tregonte zjarrfikësit në vendngjarje dhe tymin që dilte nga ndërtesa.

“Vetëm një shtet djallëzor mund të luftojë kundër klinikave. Nuk mund të ketë asnjë qëllim ushtarak për këtë. Është terror i pastër rus. Rusia ka zgjedhur rrugën e së keqes me vullnetin e saj dhe nuk do ta braktisë vetë këtë rrugë. Ne duhet ta mposhtim terrorin”, tha ai.

Gjatë natës, Rusia nisi një valë tjetër sulmesh ajrore kundër Ukrainës gjatë natës, por shumica e raketave dhe dronëve u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ukrainase, thanë zyrtarët ushtarakë dhe rajonalë ukrainas më 26 maj.

Nëpër gjithë territorin e Ukrainës u dëgjuan alarmet për sulme ajrore prej disa orësh, pasi Kievi dhe disa rajone të tjera iu nënshtruan sulmeve ajrore.

Ushtria ruse lëshoi 17 raketa dhe 31 dronë sulmues të prodhuar nga Irani në objektiva civile dhe ushtarake, por mbrojtja ajrore ukrainase arriti të rrëzojë 10 raketa dhe 23 drone, njoftoi Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës mëngjesin e 26 majit.

Dëmet që u shkaktuan nga rënia e mbetjeve të shpërthimeve u raportuan në rrethet Obolon dhe Shevçenkiski të Kievit, por Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit, tha se nuk kishte raportime për të lënduar apo viktima gjatë sulmit tre-orësh në kryeqytet që filloi rreth orës 3 të mëngjesit.

Ky ishte sulmi i 13-të i tillë në kryeqytetin ukrainas këtë muaj.

Rajonet e Harkivit dhe Dnipropetrovskut ishin gjithashtu në shënjestër të sulmeve ruse, thanë zyrtarët lokalë.

Një burrë u plagos në rajonin e Dnipropetrovsk gjatë asaj që guvernatori rajonal Serhiy Lysak e quajti një “natë jashtëzakonisht e vështirë” të sulmeve ruse që shkaktuan dëme të konsiderueshme në infrastrukturën civile.

Qytetet Merefa dhe Izium në rajonin e Harkivit pësuan dëme në sulmin me dron, tha kreu i administratës ushtarake rajonale, Oleh Synyehubov.

Në fushëbetejë, luftimet vazhduan në dhe rreth qytetit lindor të Bahmutit, që është epiqendra e luftës në Ukrainën lindore, tha Shtabi i Përgjithshëm në raportin e tij të përditshëm më 26 maj, duke kundërshtuar përsëri pretendimet e Rusisë se kishte pushtuar të gjithë qytetin.

Më 25 maj, oficeri i lartë amerikan, gjenerali Mark Milley, tha se Rusia nuk do të arrijë një fitore ushtarake në Ukrainë, duke parashikuar një luftë “të vështirë” dhe “të përgjakshme” në vazhdim, pasi Grupi i Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës dhe i vendeve që mbështesin Kievin në luftën e tij kundër Rusisë zhvilloi një takim virtual.

“Kjo luftë, ushtarakisht, nuk do të fitohet nga Rusia. Thjesht nuk do të ndodh”, u tha Milley gazetarëve më 25 maj pas takimit.

Megjithatë, ai deklaroi se për shkak të pranisë së madhe të ushtrisë ruse në Ukrainë, është e pamundur që Kievi të jetë në gjendje të rimarrë të gjithë territorin e tij në një të ardhme të afërt.

“Kjo do të thotë se luftimet do të vazhdojnë. Do të jenë të përgjakshme. Do të jetë e vështirë. Dhe në një moment, të dyja palët ose do të negociojnë një zgjidhje ose do të arrijnë në një përfundim ushtarak”, tha Milley.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, i cili gjithashtu mori pjesë në konferencën virtuale, tha se mbështetësit perëndimorë të Ukrainës kanë kontribuar me pothuajse 65 miliardë dollarë në ndihmë ushtarake që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022.