Shumë veta habiten kur u rrëfejmë se si bjeshkatarë mbeturinat i bartim edhe nga 10 km e më tepër derisa zbresim nga pikat malore në vendbanimin e parë ku i hedhim në shportë. Ndërkohë në shumë raste rrëqethemi kur shohim zonat e piknikut të lëna si më keq. Çfarë shpirti mund të ketë një njeri dhe familja që pasi kanë bërë ndejën e uikendit, të gjitha hedhurinat t’i lënë aty ky kanë ngrënë e kanë bërë qejf? E hëngrët flinë apo mishin e pjekur, pse ambalazhin e dhallit, kanaqet dhe mbetjet e tjera i lini aty? Me çfarë fytyre do të ktheheni të vini edhe një herë aty? Dikur në shkollë fillore kishim orë të veçantë në natyrë dhe minuta kur mësonim kulturën e pastrimit të oborrit nga sendet e hedhura, aktivitet ky që na është gërvishtur në mbamendje.
Trishtimi më mori një ditë kur pash se si shqipet bënin kthesën U mbi një barrierë të padukshme të gjelbërimit mes dy rrugëve në drejtime të kundërta të bulevardit “Nikolla Karev”: kthen Mercedesin si të ishte shtruar me asfalt e jo me barë, me kulturë gjelbëruese e drurë hortikulturorë. Njeriun e ndërgjegjshëm kjo e çon të kapë kokën me dy duar. Eh pra, gjithçka blihet, edhe vetura, edhe kostumi e parfumi i shtrenjtë, edhe diploma, ama kultura jo. Ajo duhet të ketë rrënjë të thella dhe kërkon ushqim orë e çast, sa të jesh gjallë.
Ne dhe mbetjet, apo më mirë thënë: ne dhe natyra, pasqyrojnë një deformim mendësie, që kërkon kohë të kurohet. Ilaçi jemi vetë ne, e kemi brenda vetes. Ndryshimi i bindjeve dhe filozofisë së jetës. Bota flet për zero-waste cities (qytete me zero mbetje), për circular economy (shfrytëzim të gjërave të përdorura), green thinking (mendim jeshil), eco-friendly behavior (sjellje miqësore ndaj natyrës), për freeganism (konsumim i kufizuar i burimeve), e ne mbytemi në tymrat e plastikave e kabllove të djegur. Ka një kohë që numrin 193 (shërbimi zjarrfikës) e thirrim goxha shpesh prej celularit tonë, sivjet madje edhe dimrit.
Mbeturinat janë një sfidë globale që kërkon një qasje të përgjegjshme dhe të organizuar nga të gjithë ne. Vetëm përmes ndërgjegjësimit, riciklimit dhe adoptimit të zakoneve të qëndrueshme mund të ulim ndikimin e mbeturinave në mjedis dhe të krijojmë një të ardhme më të pastër. Ndryshimi fillon me veprimet tona të përditshme, duke u kujdesur për botën që na rrethon dhe për brezat e ardhshëm.
Me siguri se askush nuk dëshiron të jetojë në republikën e mbeturinave por në atë të gjelbër (green country), që nënkupton kujdesin për ruajtjen e mjedisit natyror dhe burimeve të tij, si dhe për shëndetin e qytetarëve. Familja, autoriteti lokal dhe biznesi mund të bëjnë shumë punë në këtë drejtim. Pa vetëdijen ekologjike gjithë shoqëria na shndërrohet në vatër të plehtrave, lëmishteve, bëzhdilave.
Dhe në fund, një shembull super-pozitiv në këtë çështje, i një njeriu nga mesi ynë, shqiptar, K. Ahmeti, studenti gjilanas i mjekësisë, në vitet 2010 në Izmir të Turqisë. Gjatë stazhit në departamentin e fëmijëve ishte prekur shumë nga rasti i një vajze dhjetëvjeçare familja e të cilës nuk kishte pasur mundësi t’i blente një karrocë për persona me aftësi të kufizuara dhe kishte nisur fushatën për mbledhjen e kapakëve të kaltër të shisheve. Për dy vjet kishte tubuar një sasi të madhe kapakësh, 400 tonelata, me shitjen e të cilëve ishin blerë 1600 karroca me rrota që do t’i shërbenin kësaj kategorie nevojtare. “Kapakun e parë e nxorra nga një kosh brenda universitetit” – tregon Kushtrimi, për të arritur shifrën 235 milionë, që po u rradhitën, do mbulonin tërësisht kampusin universitar (345 hektarë). Fushata kishte sjellë kapakë nga 50 shtete, projekti ishte aktivizuar në Argjentinë, ShBA, Rusi, Australi… Nga një kapak te vetëdijësimi dhe lumturimi i shumë njerëzve, te një storje e dinamikës globale.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.