Kandidatet për zgjedhje parlamentare në RMV përballen me gjuhën e urrejtjes, komente seksiste dhe ofendime

“Ku do të shkoni pa mua, ministre, në Evropë do të shkoni?”, “Lepureshe seksi”, “Bukuroshe”, “Çfarë të qeshure si aktore me qëllime të sinqerta”, “Bukuroshja (luanesha) maqedonase”, “Hajde vajzë shko bli diçka të bukur, nuk je ti për politikë”, “E qelbur, nga të gjitha anët del erë”, “Patë e vërtetë, marionetë”, “Nuk besoj se me këtë kandidate dhe këtë politikë do të fitoni”… Këto janë vetëm disa nga komentet e mbetura nën postimet në Fejsbuk të vetëm disa prej kandidatëve për deputetë në këto zgjedhje. Pas komenteve, mund të vërehet se ato janë shkruar kryesisht për politikanët e rinj, profilet e të cilëve i kemi analizuar dhe janë lënë edhe nga burrat edhe nga gratë, raporton MIA.

Dhuna verbale ndaj grave në politikë nuk ndalet, megjithëse në bazë të të dhënave të caktuara ajo zvogëlohet, por kurrë nuk mund të hulumtohet deri në fund sepse analizat nuk përfshijnë profilet private të politikaneve femra, por ajo që vumë re në hulumtim në disa nga rrjetet sociale përjashtohet nga mundësia për lënien e komentit nën postimet.

Në zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare në Maqedoni marrin pjesë dy gra për president të vendit dhe 753 kandidate për deputete. Përballë tyre, sipas statistikave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, janë pesë kandidatë presidencialë dhe 1.002 kandidatë burra për deputetë.

Nga janari deri në fillim të prillit të këtij viti, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), janë identifikuar 3.380 komente të gjuhës së urrejtjes në artikuj ose postime në Fejsbuk që përmendin politikanet. Nga kjo shifër, 71 për qind respektivisht 2.388 janë ndaj vetëm pesë politikaneve. Komentet përfshijnë seksizmin, thirrjet për dhunë (kërcënime me vdekje) dhe shqetësime të tjera rreth pamjes fizike, fesë ose përkatësisë etnike.

Më 18 prill filloi fushata për zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, zgjedhjet të cilat do të mbahen më 8 maj. Më 22 prill do të mbarojë fushata për zgjedhje presidenciale për raundin e parë, pasi më 24 prill do të mbahet raundi i parë presidencial.

Një ditë para nisjes së fushatës, në Kuvend është firmosur Kodi për Zgjedhje të Drejta dhe Demokratike Parlamentare. Në akt morën pjesë përfaqësues të shumicës së partive politike dhe koalicioneve që do të marrin pjesë në garën zgjedhore për një mandat në legjislativ, por jo të gjitha e nënshkruan Kodin.