Votimi në veriun e Kosovës: Deri në ora 15:00 kanë votuar gjithsej 203 qytetarë, në Zubin Potok vetëm 17

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka mbajtur konferencën e tretë lidhur me procesin e votimit për largimin ose jo nga funksioni të kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, raporton KlanKosova.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, tha se deri në orën 15:00 në katër komunat veriore kanë votuar 203 votues.

“Leposaviq 122 votues, Zubin Potok 17, Zveçan nuk kemi votues dhe në Mitrovicën e Veriut 64 votues”, tha Elezi.

“Procesi i votimit po vazhdon. Qendrat e votimit janë të hapura dhe vazhdojnë të presin votues”, tha ai.

Në Zubin Potok deri në orën 15:00 vetëm 17 qytetarë e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës në procesin e votimit “pro” apo “kundër” shkarkimit të kryetarit të komunës, Izmir Zeqiri.