The Battle of Hedgehogs” i Ftesa Hazrollit drejt San Sebastianit: Të kërkosh atë që të takon nuk do të thotë të jesh kundër familjes apo traditës

Nga Kosova në Stamboll, e tani drejt një prej skenave më prestigjioze të kinemasë evropiane. Ftesa Hazrolli po hyn në San Sebastián me “The Battle of Hedgehogs”, filmin e përzgjedhur mes vetëm katër projekteve në WIP Europa. Por për Hazrollin, kjo nuk është thjesht një tjetër ndalesë festivali. Është kurorëzimi i një rrugëtimi disa-vjeçar në një projekt ku ajo hyri si producente dhe përfundoi edhe para kamerës, duke interpretuar në turqisht si pjesë e një familjeje nga juglindja e Turqisë. Në qendër të filmit është një betejë shumë më e madhe se ajo për një pronë: beteja e një gruaje për të mos hequr dorë nga ajo që i takon. Trashëgimia, familja, tradita, përplasja mes afërsisë dhe dhimbjes, janë temat që e çojnë The Battle of Hedgehogs nga një histori lokale drejt një rrëfimi universal.

Në një intervistë për Portalb.mk, Hazrolli foli për bastin e madh të San Sebastiánit, kalimin e papritur nga producentja në aktore, sfidën për të luajtur si një folëse amtare e turqishtes dhe për atë që duhet që një film nga Kosova apo rajoni të mos mbetet vetëm një histori e mirë, por të gjejë rrugën drejt botës.

Portalb.mk: “The Battle of Hedgehogs” është përzgjedhur në WIP Europa. Çfarë do të thotë kjo për ju personalisht dhe për rrugëtimin ndërkombëtar të filmit?

Ftesa Hazrolli: Për mua, kjo përzgjedhje ka një rëndësi të dyfishtë, sepse është një hap i rëndësishëm si për The Battle of Hedgehogs, ashtu edhe për rrugëtimin tim si artiste dhe producente. Jam pjesë e këtij projekti që nga fazat e hershme dhe e kam përcjellë zhvillimin e tij për disa vite. Prandaj, ta shoh sot të përzgjedhur në San Sebastián është një konfirmim shumë personal i gjithë punës dhe besimit që kam pasur në të.

San Sebastián është një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në Evropë dhe WIP Europa është një nga platformat e tij që fokusohet në filma evropianë ende në proces përfundimi. Këtë vit janë përzgjedhur vetëm katër filma, mes tyre edhe The Battle of Hedgehogs.

Për filmin tonë, kjo nuk është vetëm një mundësi për t’u prezantuar para publikut apo profesionistëve. Filmi do të shfaqet para profesionistëve të industrisë në një fazë kur ende mund të ndërhyhet në hapat e fundit të realizimit të tij. Kjo mund të jetë vendimtare për gjetjen e partnerëve të postproduksionit, për përfundimin teknik dhe artistik të filmit, si dhe për sigurimin e kontakteve me kompani të shitjes ndërkombëtare dhe distributorë.

Nëse filmi tërheq interesin e duhur aty, kjo mund të ndikojë edhe në strategjinë e tij të shitjes, në përzgjedhjen e festivaleve ku do të aplikohet dhe në mënyrën se si do të prezantohet në tregun ndërkombëtar.

Pra, ajo që e bën këtë përzgjedhje veçanërisht të rëndësishme është se filmi nuk shkon në San Sebastián thjesht si një vepër e përfunduar për t’u shfaqur. Shkon në një moment kur ende mund të krijohen partneritete që ndikojnë drejtpërdrejt në versionin final të filmit dhe në rrugëtimin e tij pasi të përfundojë.

Për mua, kjo përvojë ka edhe një dimension personal dhe profesional. Të jem aty si producente dhe aktore e projektit do të thotë të prezantoj jo vetëm filmin, por edhe punën time, të krijoj marrëdhënie me profesionistë ndërkombëtarë dhe të ndërtoj një rrjet që mund të jetë i rëndësishëm edhe për projektet e ardhshme.

Në këtë kuptim, San Sebastián është një hap për The Battle of Hedgehogs, por edhe një hap konkret për rrugëtimin tim ndërkombëtar si artiste dhe producente.

Foto nga xhirimet e filmit The Battle of Hedgehogs
Foto nga xhirimet e filmit The Battle of Hedgehogs

Portalb.mk: Ju jeni përfshirë në projekt fillimisht si producente dhe më pas edhe si aktore. Si erdhi ky kalim?

Ftesa Hazrolli: Në fakt, kur jam përfshirë fillimisht në projekt si producente, nuk e kam menduar asnjëherë se më vonë do të bëhesha pjesë e tij edhe si aktore. Historia zhvillohet në juglindje të Turqisë dhe në qendër të saj është një familje nga ai rajon, kështu që në atë fazë as nuk e shihja veten si një mundësi për kastin.

Megjithatë, duke qenë se jetoj prej më shumë se gjashtë vitesh në Stamboll, me kalimin e kohës e kam përvetësuar turqishten në një nivel që më lejon të interpretoj edhe një personazh që është folëse amtare e gjuhës.

Kur më vonë erdhi propozimi që të luaja njërën nga vajzat e familjes, edhe nga ana fizike i përshtatesha personazhit dhe botës së familjes që paraqitet në film. Për mua, kjo ishte edhe një sfidë shumë interesante si aktore.

Nuk mjaftonte vetëm ta flisja turqishten rrjedhshëm; duhej të punoja edhe me mënyrën e të folurit dhe nuancat e aksentit të rajonit, në mënyrë që të përshtatesha natyrshëm me aktorët e tjerë. Në fillim kam pasur edhe një lloj presioni ndaj vetes pikërisht për këtë.

Po luaja përkrah aktorëve turq, në një histori shumë specifike për atë rajon, dhe doja që publiku të mos ndalej asnjë moment te fakti që unë nuk jam nga Turqia. Për mua ishte e rëndësishme që, kur të më shihnin mes anëtarëve të tjerë të familjes, thjesht të besonin se edhe unë i përkas asaj familjeje.

Kjo përvojë e bëri projektin edhe më personal për mua, sepse për një kohë të gjatë e kisha njohur këtë familje dhe historinë e saj nga perspektiva e producentes, ndërsa më pas duhej të hyja brenda saj dhe të bëhesha njëra prej tyre.

Ishte një kalim që nuk e kisha planifikuar, por që më sfidoi dhe, njëkohësisht, më dha një lidhje krejt tjetër me filmin.

Portalb.mk: Filmi trajton edhe çështjen e të drejtës së grave në trashëgimi. Çfarë ju tërhoqi më së shumti te kjo temë?

Ftesa Hazrolli: Kur e kam marrë skenarin për herë të parë në dorë, edhe pse historia ishte e vendosur në juglindje të Turqisë, nuk e kam ndier aspak si një realitet të largët nga imi. Përkundrazi, shumë prej marrëdhënieve familjare dhe, sidomos, çështja e së drejtës së grave në trashëgimi më dukeshin shumë të afërta.

Më pas fillova të hulumtoj më shumë dhe kuptova se ky nuk është një problem që i përket vetëm një vendi apo një kulture. Në forma dhe përmasa të ndryshme, gratë vazhdojnë të përballen me të në shumë vende të botës.

Dhe pikërisht këtu, për mua, historia bëhet shumë më e madhe se çështja e një prone apo trashëgimie. Ende ekziston pritshmëria që gruaja të jetë ajo që tërhiqet, që hesht, që heq dorë nga diçka që i takon për të ruajtur familjen, paqen apo traditën.

Mendoj se duhet të flasim më shumë për momentin kur një grua vendos të mos heqë dorë. Të kërkosh atë që të takon nuk do të thotë të jesh kundër familjes apo traditës; do të thotë të kërkosh të trajtohesh si e barabartë. Për mua, ky është një mesazh që shkon shumë përtej kufijve të historisë sonë.

Edhe vetë titulli i filmit, The Battle of Hedgehogs, që në shqip do të thotë Beteja e iriqëve, mbart një kuptim shumë të veçantë. Ai lidhet me metaforën e Schopenhauerit për iriqët, të cilët gjatë dimrit afrohen për t’u ngrohur, por, kur afrohen shumë, lëndohen nga gjembat e njëri-tjetrit. Largohen për të shmangur dhimbjen, por të ftohtit i bën të kërkojnë përsëri afërsinë.

Është një metaforë për marrëdhëniet njerëzore dhe për atë tension të vazhdueshëm mes nevojës për afërsi dhe mundësisë për ta lënduar njëri-tjetrin. Të njëjtin fenomen, në një formë shumë njerëzore dhe familjare, e shohim edhe brenda historisë së filmit.

Portalb.mk: Në San Sebastián, çfarë synoni konkretisht të arrini?

Ftesa Hazrolli: Në këtë fazë kemi disa objektiva shumë konkrete. Filmi është afër përfundimit, kështu që një nga prioritetet është të krijojmë partneritete për fazat e mbetura të postproduksionit, por paralelisht po mendojmë edhe për jetën e filmit pasi të përfundojë.

Në San Sebastián synojmë të takohemi me agjentë të shitjes, distributorë, producentë dhe profesionistë të festivaleve që mund të bëhen pjesë e rrugëtimit të filmit.

Personalisht, dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për ta vendosur filmin përpara njerëzve të duhur dhe për të krijuar marrëdhënie që vazhdojnë edhe pas festivalit. Për mua, suksesi nuk do të jetë vetëm ta prezantojmë mirë filmin në San Sebastián, por të largohemi prej aty me dyer të reja të hapura për të.

Portalb.mk: Projekti ka kaluar edhe në Apulia Film Forum dhe TRT 12 Punto. Sa kanë ndikuar këto platforma në zhvillimin e tij?

Ftesa Hazrolli: Shumë. Secila prej këtyre platformave ka ardhur në një moment tjetër të zhvillimit dhe na ka dhënë diçka të ndryshme.

Për mua personalisht ka qenë shumë interesante ta prezantoj të njëjtin projekt në etapa të ndryshme dhe të shoh se si ai rritet, ndryshon dhe se si reagimi i profesionistëve ndaj tij bëhet gjithnjë e më konkret.

TRT 12 Punto ka qenë një etapë shumë e rëndësishme dhe çmimi që morëm aty na dha një konfirmim të fortë në atë fazë të zhvillimit. Apulia Film Forum, ndërkohë, na hapi mundësinë për ta prezantuar projektin para një rrjeti të gjerë profesionistësh ndërkombëtarë dhe për të krijuar kontakte që e kanë përcjellë filmin edhe më tej.

Ajo që më pëlqen më shumë në këtë pikë është se tani nuk kemi më nevojë vetëm t’u tregojmë njerëzve se çfarë filmi duam të bëjmë. Filmi ekziston. Në San Sebastián, profesionistët do të kenë mundësinë ta shohin dhe ta vlerësojnë vetë atë që për kaq gjatë ne e kemi prezantuar si vizion.

Portalb.mk: Cilat janë sfidat më të mëdha për kineastët nga Kosova dhe rajoni për të arritur në tregun ndërkombëtar?

Ftesa Hazrolli: Mendoj se një nga sfidat më të mëdha për kineastët nga Kosova dhe rajoni është qasja te mundësitë dhe njerëzit e duhur. Mund të kesh një film shumë të mirë, por, nëse nuk ke mundësinë ta prezantosh para një festivali të rëndësishëm, një producenti ndërkombëtar, një agjenti të shitjes apo një distributori, ai film mund të mbetet vetëm brenda një audience shumë të kufizuar.

Pra, sfida nuk është gjithmonë vetëm ta bësh filmin, por edhe si ta çosh atë nga Kosova te një audiencë ndërkombëtare.

E njëjta gjë ndodh edhe me financimin. Mund të kesh një skenar shumë të mirë, por, për ta realizuar në nivelin që kërkon tregu ndërkombëtar, shpesh nevojiten bashkëprodhues, fonde dhe partnerë nga vende të tjera. Për t’i gjetur ata duhet të jesh i pranishëm në festivalet, tregjet dhe platformat ku ndodhen këta profesionistë.

Këto marrëdhënie ndërtohen me kohë; ndonjëherë një takim sot mund të kthehet në një bashkëpunim pas dy apo tre vitesh.

Por pikërisht këtu mendoj se ekziston edhe mundësia. Sot ka shumë më tepër interes për histori dhe perspektiva që vijnë nga vende që tradicionalisht kanë qenë më pak të përfaqësuara në kinemanë ndërkombëtare.

Kosova dhe rajoni kanë histori dhe autorë shumë të veçantë. Ne nuk kemi mungesë historish; ajo që duhet të forcojmë është mënyra se si i prezantojmë, si i pozicionojmë dhe si i lidhim me botën.

Prandaj, mendoj se sot nuk mjafton vetëm të realizosh një film të mirë. Duhet të dish edhe si t’i krijosh atij një rrugë që të arrijë te publiku.

Për mua, pikërisht këtu festivalet dhe tregjet ndërkombëtare bëhen shumë të rëndësishme: jo vetëm si vende ku shfaqen filmat, por si vende ku një film mund të gjejë njerëzit që do ta ndihmojnë të udhëtojë më larg.

Afishja e filmit The Battle of Hedgehogs
Afishja e filmit The Battle of Hedgehogs