Dezinformatat intensifikohen dukshëm gjatë fushatave parazgjedhore

“Demokracia në rrezik: Zgjedhjet në epokën e dezinformatave” titullohet sesioni i dytë i konferencës rajonale, me të cilën Rrjeti kundër dezinformimit në Ballkan shënoi Ditën ndërkombëtare të verifikimit të fakteve. Aktivistë dhe gazetarë nga vendet e rajonit ndanë përvojat e tyre që kanë të bëjnë me dezinformatat, veçanërisht gjatë periudhës parazgjedhore, transmeton Portalb.mk.

Vlladimir Erceg nga Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA) në Serbi, foli rreth zgjedhjeve që në muajin janar u mbajtën në këtë vend.

“Ne kishim zgjedhje në muajin janar, do të kemi zgjedhje në qershor, vazhdimisht jemi në gjendje gatishmërie kur bëhet fjalë për përdorimin e dezinformatave në fushatat zgjedhore. Nga viti 2016 CRTA e ka ndjekur rregullshmërinë e procesit zgjedhor. Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, CRTA zbuloi se këto zgjedhje nuk ishin të lira dhe të ndershme dhe nuk e pasqyruan vullnetin e qytetarëve. Konstatuam 13 përqind parregullsi në Beograd. Zyrtarët e partisë në pushtet bënë një lojë jo të pastër”, tha Erceg.


Ismar Millak nga organizata boshnjake “Pse jo?” tha se në periudhën parazgjedhore në vend shfaqen portale të reja, të cilat zhduken menjëherë pas zgjedhjeve.

“Në Bosnjë dhe Hercegovinë çdo ditë ka dezinformata të tmerrshme. Ne kemi zgjedhje çdo dy vjet. Në rrjetet sociale kemi bote partiake që duan të përcjellin imazhin se një parti e caktuar është e shkëlqyer. Kemi shembuj kur gjatë prezantimit të një kandidati për zgjedhje në ndonjë emision gazetaresk atij i lejohet të flasë pa asnjë kritikë dhe kjo gjë më shumë i përngjan promovimit të tij. Kemi vetëm 200 portale të regjistruara. Ato hapen para zgjedhjeve dhe mbyllen pas zgjedhjeve. Ato portale kritikojnë, spekulojnë, dezinformojnë. Po bëhen ndryshime në ligj për ta rregulluar këtë”, theksoi ai.

Një shembull interesant dha Jan Zingel nga Sllovakia, i cili tha se para zgjedhjeve në këtë vend është përhapur një audio regjistrim i gjeneruar nga IA, në të cilin dëgjohej zëri i një gazetareje shumë të njohur investigative nga Sllovakia, se si fliste me kreun e partisë progresive.

“Tema e bisedës ishte se si t’i blenin votat e romëve në Sllovaki. Kjo ishte diçka shumë e rëndë. Kjo narrativë zgjati përgjatë gjithë fushatës zgjedhore dhe ky ishte aduti i tyre, por për fat të mirë u vërtetua se videoja ishte krijuar me IA”, tha Zingel.

Edhe Marko Vukajlloviq nga Qendra për Tranzicion Demokratik nga Mali i Zi (CDT) tha se ka portale që shpërndajnë dezinformata dhe tha se megjithatë problemi më i madh janë rrjetet sociale, duke qenë se aty secili mund të thotë çfarë të dojë dhe ndërkohë të ndiqet nga shumë njerëz.

“Kjo është beteja që ne e bëjmë çdo ditë,” tha ai.

Për fushatat dezinformative dhe suksesin e dezinformatave ruse në një video-adresim foli Jakub Kalenski nga Qendra Evropiane Finlandeze për përballje me kërcënimet hibride. Lajmi i mirë, sipas tij, është se më në fund problemi po zbulohet më mirë dhe se vitet e fundit gazetarët dhe studiuesit e shoqërisë civile po i zbulojnë dezinformatat.

“Por lajmi i keq është se ne nuk po bëjmë sa duhet për ta ndaluar Kremlinin dhe këtë gjë e shohim në terren. Edhe pse po bëjmë përparim të ngadaltë, kjo nuk mjafton, nuk po i ndalojmë nga aspekti ushtarak dhe informativ. Edhe në fushën e informacionit, me trajektoren aktuale, Rusia po fiton. Ne e shohim se ka fushata dezinformative, ndërsa zgjedhjet po i fitojnë ata që i mbështesin fushatat ruse. Nuk na leverdis të flasim për dezinformata zgjedhore. Elon Musk, Papa Françesku e lejojnë përhapjen e propagandës ruse, ndërsa anketat tregojnë se një përqindje e madhe e njerëzve u besojnë atyre. Dezinformtat ruse janë të suksesshme, pavarësisht se është rritur numri i personave që i zbulojnë dezinformatat”, tha Kalenski, duke theksuar se nga pikëpamja informative mungon një strategji afatgjatë dhe e qartë në këtë luftë.

Në këtë konferencë foli edhe Svetllana Siljanovska nga Qeveria e RMV-së, e cila theksoi se Qeveria, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat duhet të përfshihen dhe t’i kundërvihen bashkë strukturës së organizuar që ndodhet nga ana tjetër.

“Ajo që vihet re tek ne në çdo proces zgjedhor të deritanishëm është tensioni parazgjedhor, i cili kryesisht është ndëretnik. Dhe ky është pjesë e atyre aktiviteteve hibride që ndikojnë në të gjithë atmosferën. Të gjitha dezinformatat mund të shkaktojnë konfuzion tek qytetari, ndaj qasja dhe veprimi i përbashkët janë më të rëndësishmit”, tha ajo.