Jeniçerizmi – makth frymëzënës i qytetërimeve të vogla

Jeniçerizmi është fenomen i gjithkohshëm dhe i kudondodhshëm. Me emra të ndryshëm, atë e kanë praktikuar superfuqitë e hershme, si: Perandoria Kineze, Perandoria Romane, Perandoria Osmane, strelcët e Perandorisë Ruse… Natyrisht: e praktikojnë edhe fuqitë e mëdha të kohës sonë.

Jeniçerizmi lidhet gabimisht vetëm me rekrutimin e ushtarëve nga radhët e popujve me identitet tjetër nga ai i shtypësve. Në fakt, ai shfaqet në versione të shumëllojshme gjithandej ku njerëz të profesioneve të ndryshme pranojnë statusin e renegatëve dhe vihen në shërbim të interesave politike, ushtarake, gjuhësore e kulturore të tjetrit.

Jeniçerizmi është makth frymëzënës për qytetërimet e vogla, një vetëdije e shtresuar në myshqet e së shkuarës, e cila do kohë për t’u shkulur që andej. Ndër shqiptarët, më mirë se kushdo tjetër, këtë e kuptoi enciklopedia e gjallë Faik Konica, që, për çrrënjosjen e kësaj mendësie, iu fut lëvrimit të shkëmbit

Konica besonte se të ligat shqiptare vinin nga fryma e jeniçerizmit dhe nënprodukteve të tij: filozofia fataliste, shpirti i izmeqarit, kompleksi i madhështisë së munguar, kacagjelimet ndërvëllazërore, që ishin dhe janë më të forta se armiqësitë me pushtuesit. Pikërisht te ky shpirt i fortë robi, Gjeniu pa gjenezën e viktimizimit të shqiptarëve për të tjerët, sa herë që nuk janë në gjendje t’i kanalizojnë energjitë dhe të bëjnë diçka serioze për vetveten e kllumur n’gazep.

Kruajeni pak realitetin për ta kuptuar se koha e Konicës është edhe koha jonë, me gjithë takamin e ileteve tona kronike. Do ta shihni se, ndërsa jeniçerët e patakatë të politikës shqiptare përballen me padronin si heroi i Servantesit me mullinjtë e erës, jeniçerët e kulturës shfrytëzojnë amullitë e tranzicionit, të mbetur peng në mëshirë pinguinësh, për të brejtur si minjtë substancën etnike.

Të tillët aktualisht janë të zënë me meremetimin e së kaluarës shqiptare. Ata lexojnë histori të huaja, kryesisht të ish pushtuesve, për t’i kundruar heronjtë e kombit “të tyre” po me atë dioptri, gjithnjë në interes të shtypësve aktualë, të cilëve u konvenon zhveshja e shqiptarëve nga personalitetet historike që ua njeh bota. Për mendjen e çatrafiltë, Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani, Gonxhe Bojaxhiu… janë slave; Ismail Kadareja agjent Vatikani; Sami Frashëri, turk e hajt bir. Prandaj këtij të fundit, bie fjala, ia njohin dhe afirmojnë gjithë veprat letrare e shkencore të shkruara në gjuhën e tjetrit, por jo edhe traktatin politik të Rilindjes Kombëtare “Shqipëria çka qenë ç’është e ç’do të bëhetë?”, sepse kjo vepër ua nxjerr sheshit bojën e abuzimeve jeniçerishte.

Ndoshta specia e argatëve iftiaçlinj, për honorare fijengatërruara si lesharapi nuk ka kapacitet t’i ngulfasë përfundimisht shqiptarët, por dëmet e shkaktuara na bëjnë të vendnumërojmë si dikur. Ndryshe do të ishte po t’na ndihmonte shteti Amë për t’mbijetuar kllapitë.

Të tjera daulle do të binin atëherë për shqiptarët e Malit të Zi, në proces të pandalshëm boshnjakëzimi, për shqiptarët e Luginës së Preshevës, në proces të dhimbshëm shpërnguljeje pa kthim nga vatrat e të parëve, për shqiptarët e Maqedonisë në proces të heshtur të humbjes të frymës së etnisë… Por ne nuk e kemi këtë fat, sepse, edhe të katandisur nën thundra hijenash, jemi të vetëmjaftueshëm dhe kërkojmë mospërzierjen e Shqipërisë në vakitë tona; sepse, mjerisht, edhe po ta kërkojmë këtë, dy shtetet kozmopolite shqiptare mund të na mëshirojnë me lëmosha, të ngjashme me atë investimin e turpshëm që bënë për Luginën e Preshevës.

E dhimbshme, apo!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.