Jemi në presion dhe të shqetësuar nga deklaratat e partive politike dhe qeveritarëve, alarmuan anëtarët e KSHZ-së 

Shumica e anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut sot kanë alarmuar se janë në presion dhe të shqetësuar nga deklaratat e politikanëve dhe qeveritarëve në lidhje me punën e anëtarëve rreth zgjedhjeve të 8 majit, transmeton Portalb.mk.

“Ju njoftojmë se krahas asaj që ndihemi personalisht të përçmuar dhe ofenduar, edhe si anëtarë të institucionit më të lartë për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve jemi të ekspozuar gjithashtu ndaj presioneve publike politike të pabaza dhe paprecedent si dhe ndaj kanosjeve për përgjegjësi penale për shkak të vendimeve të miratuara të KSHZ-së”, deklarojnë anëtarët e KSHZ në letrën publike.

Letra u nënshkrua nga kryetari dhe shumica e anëtarëve të KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, Radica Risteska, Oliver Ristovski, Boris Kondarko, Boban Stojanoski dhe Abdush Demiri.

“Reagim me shqetësim të madh lidhur me ngjarjet të cilat janë krijuar në opinion nga deklaratat e partive politike dhe bartësve të funksioneve të larta qeveritare, e që kanë të bëjnë me punën e KSHZ-së në lidhje me veprimin sipas kundërshtimeve për zgjedhjet parlamentare”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Ata vlerësojnë se kanë zbatuar zgjedhjet në mënyrë profesionale, transparente dhe në bazë të ligjit, megjithatë ndjehen të shqetësuar nga sulmet e politikanëve.

“Duke e pasur parasysh kontekstin dhe intensitetin e atakeve, thirrjeve dhe ofendimeve, gjithashtu jemi të shqetësuar edhe për atë se ekziston mundësia që ato të kalojnë edhe në sulme individuale mbi sigurinë tonë”, deklarojnë anëtarët e KSHZ-së.

Ata theksojnë se kanë analizuar materialet për 110 vendvotime, ashtu që vetëm për 7 vendvotime kanë pranuar kundërshtimet, ndërsa kundërshtimet për 103 vendvotimet tjera janë refuzuar.

“Në bazë të kësaj, nuk janë të pranueshme dhe të tolerueshme sulmet, presionet dhe ndërhyrja nga ana e disa partive politike dhe individëve nga Qeveria teknike në procedurat zgjedhore, si dhe për punën dhe vendimmarrjen e KSHZ-së dhe të Gjykatës Administrative”, thuhet në reagimin e fundit të KSHZ-së, të cilët theksuar se për sulmet e tilla janë njoftuar edhe përfaqësuesit e OSBE-ODIHR.

Ndryshe, koalicioni VLEN vlerësoi se KSHZ-ja vërtetoi manipulimet e bëra nga Fronti Evropian. Ndërkaq, Fronti Evropian reagoi duke thënë se do ta ankimojnë vendimin në Gjykatën Administrative, ndërkohë kryeministri Talat Xhaferi ka kërkuar nga kjo gjykatë të mos ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit.

Ata kanë reaguar edhe ndaj KSHZ-së në lidhje me vendimin e tyre për rivotim në disa vendvotime, duke vlerësuar që “seanca e KSHZ-së ishte demonstrim skandaloz i mbivotimit dhe i suspendimit të parimeve të Marrëveshjes së Ohrit”, ndërkohë kanë kërkuar edhe nga VLEN-i që të mos jep “deklarata skandaloze kërcënuese ndaj Gjykatës Administrative”.