Kritika ndaj qeverisë së Kosovës për projektligjin e ri për Komisionin e Pavarur të Mediave
Për shkak të mungesës së kuorumit, të enjten u shty seanca e parlamentit të Kosovës në të cilën pritej diskutimi në lexim të dytë i projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, që ka nxitur shqetësime e reagime të opozitës, Bashkimit Evropian dhe shoqërisë civile në Kosovë, raporton Zëri i Amerikës.
Ky projektligj, mes tjerash, parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre nga Komisioni i Pavarur i Mediave dhe dënime me gjoba të rënda për mediat që kryejnë shkelje ligjore.
Projekligji i cili u miratua në lexim të parë në muajin mars iu nënshtrua një vlerësimi të Bashkimit Evropian i cili kërkoi mes tjerash qartësimin e kërkesave për licencim dhe regjistrim të medieve në përputhje me standardet evropiane dhe vendosjen e qartësimin e sanksioneve dhe gjobave ndaj medieve.
Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë shprehu keqardhjen që në projektligj nuk janë përfshirë komentet e bllokut, që, siç thuhet, synojnë përmirësimin dhe sigurimin e pajtueshmërisë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.
Opozita bojkotoi seancën e sotme pasi pushteti nuk i mori parasysh kërkesën për heqjen e projektligjit nga rendi i ditës dhe rishqyrtimin e tij.
“Nëse ne synojmë integrimin në Bashkimin Evropian, nëse ne synojmë në organizata tjera ndërkombëtare dhe në anën tjetër sjellim ligje në kundërshtim me atë që e thotë Bashkimi Evropian atëherë mazhoranccë ku po e çoni Kosovën”, tha Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës kërkoi një diskutim të të gjitha partive siç tha në një frymë të përbashkët për të gjetur zgjidhje që trajton shqetësimet e opozitës dhe Bashkimit Evropian.
“Ju thoni që kemi bashkërendim me Bashkimin Evropian në anën tjetër kemi reagim zyrtar nga zyra e BE-së në Prishtinë kundër këtij projektligji. Pra cenimi i lirisë së mediave në vendin tonë është një goditjet më të mëdha që mund t’i bëhet agjendës sonë evropiane por edhe zhvillimit tonë të brendshëm si shoqëri”, tha zoti Tahiri.
Kryesuesi i Komisionit parlamentar për media nga radhët e partisë në pushtet Valon Ramadani, tha se në projektligj janë përfshirë të gjitha rekomandimet përfshirë ato të shoqërisë civile.
“Nuk është e vërtetë që me këtë projektligj cenohet pavarësia e mediave, absolutisht nuk ka cenim të pavarësisë se mediave, ka përafrim të direktivës së Bashkimit Evropian e cila është e vitit 2018 e ne ligjin në fuqi të KPM-së e kemi nga viti 2012. Pra janë shumë me rëndësi këto përafrime të standardizimit te çështjet janë shumë të ndjeshme dhe komplekse sidomos te çështja e mediave”, tha zoti Ramadani.
Qeveria e ka cilësuar projektligjin si një reformë të nevojshme në fushën e medias.
Por, Xhemajl Rexha nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, tha të enjten se projektligji paraqet një përpjekje për të ushtruar kontroll ndaj medias online.
“Kjo është përpjekja më serioze e kësaj qeverie për të goditur mediat, pra për të ngushtuar pluralitetin medial në Kosovë por që do të ketë pasoja afatgjate. Thirrja jonë është që projektligji të tërhiqet dhe të mos miratohet në lexim të dytë dhe që qeveria e Kosovës, lëvizja Vetëvendosje, të marrë parasysh të gjitha vërejtjet që janë dhënë”, tha zoti Rexha.
“Projektligji për KPM-në është ligji më thelbësor dhe si i tillë është dashtë të draftohet me një ndjeshmëri më të lartë për shkak se pasojat e një ligji të keq do të kenë ndikim në pluralizmin e mediave”, tha Flutura Kusari, juriste e medias.
Media online në Kosovë aktualisht vet rregullohet nëpërmjet Këshillit të Mediave të Shkruara duke u mbështetur në Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës.