JazzFest Tetova 2026 sjell xhazin bashkëkohor në ritmin urban të qytetit
Edicioni i vitit 2026 i JazzFest Tetova do të mbahet nga 20 deri më 22 maj, duke sjellë para publikut një program të konceptuar si një përvojë bashkëkohore muzikore, ku ndërthuren xhazi modern, improvizimi dhe krijimtaria autoriale e muzikantëve vendas, shkruan Portalb.mk.
Këtë vit festivali vjen nën konceptin “Every wall tells a story”, një ide që e sheh muzikën jo vetëm brenda sallës së koncertit, por edhe si pjesë të hapësirës urbane, memories kolektive dhe jetës së përditshme të qytetit. Muret urbane përdoren si simbol i kujtesës, identitetit dhe tregimeve që Tetova mbart me vete, duke krijuar një lidhje mes muzikës, qytetit dhe publikut.
Lejla Halimi, drejtoreshë e JazzFest Tetova, për Portalb.mk tha se koncepti i sivjetmë synon ta nxjerrë xhazin përtej hapësirës klasike të koncertit dhe ta lidhë atë më drejtpërdrejt me qytetin, publikun dhe jetën urbane.
“Mesazhi që synojmë të përcjellim është se arti dhe muzika mund të gjenden kudo, në rrugë, në ritmin e qytetit, në njerëzit dhe në energjinë që krijohet mes publikut dhe artistëve. Në të njëjtën kohë, koncepti synon të krijojë një ndjesi afërsie me publikun më të ri, duke e prezantuar xhazin në një mënyrë më bashkëkohore, vizuale dhe urbane”, deklaroi Halimi.
Ajo thekson se JazzFest Tetova ka rëndësi të veçantë jo vetëm për promovimin e kulturës xhaz, por edhe për afirmimin e Tetovës si një hapësirë aktive kulturore që mbështet artin bashkëkohor dhe kreativitetin muzikor.
“Në një kohë kur ngjarjet kulturore shpesh përqendrohen në qytete më të mëdha, organizimi i një festivali të tillë në Tetovë kontribuon në decentralizimin e jetës kulturore dhe krijon mundësi që publiku lokal të ketë qasje më të drejtpërdrejtë në përmbajtje artistike cilësore”, tha Halimi.
Sipas saj, festivali synon të krijojë një platformë ku prezantohen muzikantë dhe projekte autoriale nga skena e xhazit dhe muzika bashkëkohore, duke nxitur jo vetëm performancën artistike, por edhe komunikimin mes artistëve dhe publikut.
“Festivali ka rëndësi edhe për vetë identitetin kulturor të qytetit. Tetova ka energji të veçantë urbane dhe potencial kreativ, ndërsa ngjarje të këtij lloji ndihmojnë që qyteti të perceptohet jo vetëm si qendër universitare apo administrative, por edhe si një pikë takimi për artin, kulturën dhe iniciativat bashkëkohore”, u shpreh Halimi.
Drejtoresha e festivalit shtoi se përmes këtij edicioni synohet të krijohet një atmosferë që e lidh muzikën me qytetin, hapësirat urbane dhe publikun, duke ndërtuar gradualisht një traditë kulturore që mund të zhvillohet edhe më shumë në vitet e ardhshme.
“Në këtë aspekt, JazzFest Tetova nuk është vetëm një festival muzikor, por edhe një përpjekje për të forcuar jetën kulturore të qytetit dhe për ta pozicionuar Tetovën në hartën e ngjarjeve bashkëkohore kulturore në rajon”, deklaroi Lejla Halimi.
Festivali hapet më 20 maj me projektin “Interstellar Transmissions”, në përbërje të Toni Kitanovskit dhe Sasho Popovskit në kitarë, Oliver Josifovskit në kontrabas dhe Aleksandar Sekulovskit në bateri. Ky projekt sjell një koncept të veçantë me dy kitara, duke krijuar një komunikim të pasur harmonik dhe improvizues.
Më 21 maj publiku do të ketë mundësi të ndjekë performancën e grupit “Groove Aura”, me Korab Hajdarin në bateri, Faton Stafajn në kitarë, Arsim Iljazin në bas, Artan Mustafën në saksofon, Premtim Etemin në piano dhe Fjolla Jahiun në vokal. Ky formacion paraqet një projekt të ri dhe një iniciativë të re në kuadër të festivalit, me synimin për të krijuar më shumë hapësirë për muzikantët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut në kultivimin dhe promovimin e muzikës jazz.
Ndërsa nata përmbyllëse, më 22 maj, i takon grupit “Barely Quartet”, në përbërje të Emil Ejupit në bas gitarë, David Skerlevskit në piano, Teodor Janevskit në bateri dhe Andrej Petrovski në kitarë.
Këtë vit, financues i vetëm i festivalit është Ministria e Kulturës dhe Turizmit e RMV-së, edhe pse buxheti për këtë edicion është ulur për 60 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Po ashtu, mbështetës i festivalit është edhe Europe House Tetovo, e cila mundëson hapësirat për realizimin e mbrëmjeve koncertale.
Përmes këtij edicioni, JazzFest Tetova synon të forcojë jetën kulturore të qytetit dhe ta pozicionojë Tetovën në hartën e ngjarjeve bashkëkohore kulturore në rajon.
