“Java e filmit shqiptar” në Manastir përplot më fëmijë shkollash që takojnë aktorët

Aktivitetet e Sibela Alimovskës po mbushin gati dekadën e parë në përpjekjen e saj për ta rikthyer vëmendjen nga Manastiri. Ajo drejton shoqatën “22 Nëntori” e cila po shënon ngjarje të ndryshme kulturore, ka  organizuar edhe tryeza shkencore ku është diskutuar çështja shqiptare e Manastirit, por kësaj radhe ka shfaqur filmat shqiptarë në “Javën e Filmit Shqip” , njofton Portalb.mk

Fotografi e shpërndarë nga përfaqësues të 22 Nëntorit
Fotografi e shpërndarë nga përfaqësues të 22 Nëntorit

Pasi të dielën, më datë 19 nëntor u mbajt koncert kushtuar imazhit dhe veprës humanitare të Nënë Terezës me rastin e 115 vjetorit të Ditës së Alfabetit Shqip dhe Kongresit të Manastirit, vazhduan aktivitete tjera paralele nga shoqata 22Nëntori siç është konferenca, vizita të shumta si edhe një ngjarje me rëndësi si ajo e filmave shqiptar.

Me shfaqjen e filmit të restauruar “Mësonjëtorja” nga Muharrem Fejzo në sallën e stërmbushur të Kino Manaki, u hap “Java e Filmit Shqip” që po mbahet për herë të parë në Manastir, në bashkëpunim me Shoqata Joqeveritare 22 Nëntori me në krye Sibela Alimovskën. Në këtë natë të pranishëm ishin edhe aktorët kryesor të filmit “Mësonjëtorja”, Roza Anagnosti, Ardian Cerga dhe Petrika Riza, të cilët pas shfaqjes së filmit ju drejtuan publikut.

Projekti i shfaqjes së filmave shqiptar mbushi përplot sallën. Profesor me nxënësit e tyre po shkojnë e shohin filmat e restauruar shqiptar dhe shpërndajnë fotografi me mbresa shumë të veçanta, pasi kjo mundësi u ofrohet për herë të parë në qytetin e tyre. Manastirasit, për herë të parë shfrytëzojnë rastin të ndjekin filmat që lanë gjurmë në kinematografin shqiptare. Organizimi po ndodhë në radhë të parë falë Sibela Alimovskës dhe shoqatës “22 Nëntori”, pastaj përkrahjes nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit i drejtuar nga Marinela Ndria dhe Qendrën Kulturore Informative të Manastirit me drejtoreshë Lili Boshevska.

Fotografi e shpërndarë nga përfaqësues të 22 Nëntorit
Fotografi e shpërndarë nga përfaqësues të 22 Nëntorit

Sibela Alimovska është aktivistja shqiptare e cila për çdo vit organizon festat e nëntorit në qytetin e Manastirit, duke filluar nga Dita e Alfabetit që lidhet kryekëput me këtë qytet e deri te Dita e Flamurit. Ajo njihet edhe si një ndër aktivistet e cila për gjatë gjithë vitit mbanë gjallë frymën kulturore dhe kombëtare shqiptare në qytetin e Manastirit me aktivitete të shumta të cilat organizohen nga organizata që drejton ajo.

Çdo vit politikan të ndryshëm vizitojnë Manastirin , por nuk e dinë në fakt sa mbështetje u duhet këtyre njerëzve realisht për tu çliruar nga kompleksi i inferioritetit dhe me mburrje të deklarohen shqiptar, siç deklarohen çdo 22 Nëntor. Sibela sot ka pritur edhe presidentin e Shqipërisë Bajram Begajn në njoftimin publik ajo thotë:’’ Kisha nderin dhe kënaqësinë që t’i uroja mirëseardhjen Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begajn, me rastin e 22 Nëntorit dhe konferencës shkencore me titull ‘’Ndikimi i familjes Qiriazi, sfidat dhe vizioni kohor”, kushtuar zhvillimit social, arsimor, kulturor dhe politik.

Fotografi e shpërndarë nga përfaqësues të 22 Nëntorit
Fotografi e shpërndarë nga përfaqësues të 22 Nëntorit

Të pranishëm në aktivitet ishin figura të shquara të elitës politike, të cilët e mbështetën ngjarjen si shumë të rëndësishme dhe të përshtatshme sidomos në këtë periudhë ngjarjesh ku theks i veçantë vihet në kontributin vizionar të rilindësve që krijuan një model modern të një platforme për emancipimin e popullit shqiptar’’- përfundon ajo.

Shoqata Joqeveritare “22 Nëntori” vendosi për muajin e festave të Nëntorit të sjellë filmat e vjetër shqiptar të restauruar në repertorin e kinemasë “Kino Manaki”, edhe atë: Beni ecën vet, Përrallë nga e kaluara, sonte jepet Zonja nga qyteti, nesër 23 nëntor , ora 13 – Gjeneral gramafoni dhe më datë 24 nëntor, ora- 13 Shoku ynë Tili.