Jashari nga Fondacioni Metamorfozis u zgjodh anëtar i Bordit të Rrjetit Evropian për Verifikimin e Fakteve
Anëtarët e Rrjetit Evropian të standardeve për verifikimin e fakteve (EFCSN) kanë zgjedhur Trupin e ri drejtues, i cili ka nisur mandatin dy ditë më parë, më 28 tetor dhe do të zgjasë tre vjet. Anëtarë i këtij trupi nga Maqedonia e Veriut u zgjodh Bardhyl Jashari nga Fondacioni Metamorfozis, transmeton Portalb.mk.
Trupi i ri drejtues përbëhet nga shtatë anëtarë nga përbërja e mëparshme, të cilët vazhdojnë punën e tyre, ndërsa katër anëtarë të sapo zgjedhur.
“Të gjithë anëtarët e Trupit drejtues të EFCSN janë figura të larta në organizatat e kontrollit të fakteve që janë pjesë e EFCSN në të gjithë Evropën,” njoftoi rrjeti.
Clara Jiménez Cruz, drejtoreshë ekzekutive dhe bashkëthemeluese e organizatës spanjolle të verifikimit të fakteve Maldita.es, e cila është një nga themeluesit e EFCSN, është rizgjedhur në postin e kryetares së Trupit drejtues.
Vincent Couron, themeluesi i organizatës franceze të kontrollit të fakteve ligjore Les Surligneurs – një tjetër themelues i EFCSN, është rizgjedhur si arkëtar.
Përfaqësuesit e tjerë në Trupin drejtues që u zgjodhën janë Ana Brakush nga Factograf (Kroaci), Bardhyl Jashari nga Fondacioni Metamorfosis (Maqedonia e Veriut), Chris Morris nga Full Fact (Mbretëria e Bashkuar), Felipe Pardal nga Polígrafo (Portugali), Kristina Hristova nga Factcheck / AEZ-Bulgaria (Bullgari), Marie Bonner nga AFP (Francë), Stefan Foss nga dpa (Gjermani), Thomas Hedin nga TjekDet (Danimarkë) dhe Tommaso Canetta nga Pagella Politica dhe Facta.news (Itali).
Votimi për Trupin e ri drejtues u zhvillua gjatë tetorit. Të gjithë anëtarët e verifikuar të EFCSN patën mundësinë të votojnë për kandidatët për Trupin drejtues.
Organi qeverisës është përgjegjës për drejtimin e prioriteteve organizative dhe për të siguruar që EFCSN të përmbushë misionin e tij. Ata marrin gjithashtu vendimin përfundimtar për aplikimet për anëtarësim në EFCSN, sipas kritereve të vlerësimit të përcaktuara në Kodin e Standardeve të EFCSN.