Janë shpallur konkurset për bursat e ciklit të dytë dhe të tretë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpalli konkurset për ndarjen e bursave për studime akademike të ciklit të dytë dhe të tretë për vitin akademik 2023/2024, njofton Portalb.mk.

Për ciklin e dytë është planifikuar që të ndahen 50 bursa, kurse shuma e bursës për studime nga cikli i dytë është 9.000 denarë, për nëntë muaj gjatë vitit akademik në të cilin janë regjistruar studentët.

Studentët që do të aplikojnë për ciklin e dytë duhet t’i përmbushin këto kushte:

  1. Të ketë përfunduar studimet akademike të ciklit të parë me kohëzgjatje katërvjeçare dhe të ketë arritur notën mesatare të paktën 8.50 ose të ketë diplomë të certifikuar për studime akademike të ciklit të parë të fituara jashtë vendit me notë mesatare prej të paktën 8.50;
  2. Të jetë regjistruar në studimet akademike nga cikli i dytë, semestri i parë i regjistruar për herë të parë të jetë i vitit akademik 2023/2024;
  3. Kandidati të mos ketë më shumë se 27 vjet;
  4. Të mos jetë i punësuar;
  5. Të mos jetë përfitues i ndonjë burse tjetër.

Dokumentet e nevojshme për konkursin e bursave për ciklin e dytë mund t’i shihni këtu.

Për ciklin e tretë do të ndahen 15 bursa në vlerë prej 18.000 denarë.

Studentët që do të aplikojnë për ciklin e tretë duhet t’i përmbushin këto kushte:

  1. Të ketë përfunduar ciklin e dytë të studimeve akademike, kohëzgjatja totale e të cilit bashkë me ciklin e parë nuk është më e shkurtër se pesë vjet dhe të ketë arritur notën mesatare prej së paku 8.5 veçmas për ciklin e parë dhe 8.5 veçmas për ciklin e dytë të studimeve ose të ketë të certifikuar diplomë për studime akademike të ciklit të dytë të fituar jashtë vendit me notë mesatare ekuivalente të paktën 8.5;
  2. Të jetë regjistruar në studimet akademike nga cikli i tretë, për herë të parë në vitin e parë, d.m.th. është regjistruar si student i rregullt në vitin e dytë me të paktën dy të tretat e provimeve të kaluara nga viti i parë, dhe është regjistruar si student i rregullt në vitin e tretë.
  3. Kandidati të ketë të publikuar së paku 1 (një) punim kërkimor shkencor në revista shkencore ndërkombëtare ose publikime shkencore ndërkombëtare nga fusha shkencore të cilës i referohen studimet e doktoraturës;
  4. Të ketë 2 rekomandime nga profesorët e universitetit;
  5. Të mos jetë përfitues i bursës nga ofruesit e tjerë;
  6. Kandidati ditën e aplikimit të mos ketë më shumë se 38 vjet.

Dokumentet e nevojshme për konkursin e bursave për ciklin e dytë mund t’i shihni këtu.