“Kemi rënë dakord për 90% të një plani paqeje prej 20 pikash”, tha Zelensky pas takimit me Trump në Florida

Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky thanë se kishin bërë përparim në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por “ka disa çështje të pazgjidhura”. Ndërsa të dy i përshkruan bisedimet në Florida si të shkëlqyera, Trump përsëriti se pika kryesore e ngërçit ishte territori, transmeton Portalb.mk.

Pas bisedimeve në Mar-a-Lago, Zelensky tha se ata kishin rënë dakord për 90 përqind të një plani paqeje prej 20 pikash, ndërsa Trump tha se garancitë e sigurisë për Ukrainën ishin rënë dakord për 95 përqind. Zelensky tha më pas se negociatorët amerikanë dhe ukrainas do të takohen përsëri javën e ardhshme me qëllimin për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare.

“Ne patëm një bisedë thelbësore për të gjitha çështjet dhe e vlerësojmë shumë përparimin që ekipet ukrainase dhe amerikane kanë bërë në javët e fundit”, tha Zelensky.

Propozimi për ta shndërruar rajonin e Donbasit në një zonë të demilitarizuar mbetet i pazgjidhur, shtoi Trump.

“Kjo është një çështje shumë e vështirë që mbetet për t’u zgjidhur. Një pjesë e atij vendi është marrë. Një pjesë e atij vendi mund të jetë gati për t’u marrë dhe mund të merret në muajt e ardhshëm”, tha Trump.

Rusia aktualisht kontrollon 99% të Luhanskut dhe rreth 75% të Donetskut, të cilat përbëjnë Donbasin. Vladimir Putin këmbëngul që forcat ukrainase të tërhiqen plotësisht nga Donbasi, ndërsa Trump propozon krijimin e një zone të lirë ekonomike.

Trump tha se Rusia dhe Ukraina janë më afër paqes se kurrë, por paralajmëroi se dështimi ose vonesa e negociatave do të nënkuptonte vazhdim të luftës.

“Rusia ka treguar pak interes për një armëpushim që do të lejonte mbajtjen e një referendumi në Ukrainë dhe unë e kuptoj këtë qëndrim”, tha Trump, i cili foli në telefon me Putinin para se të takohej me Zelenskyn, për të cilin nuk zbuloi shumë detaje.