Izraeli goditi objekte brenda Sirisë me bomba të rënda dhe municione që shkatërrojnë bunkerët

Aeroplanët luftarak izraelitë kanë goditur objekte brenda Sirisë me bomba prej 1 ton dhe municione për shkatërrimin e bunkerëve, transmeton Anadolu.

Sipas Radios së Ushtrisë së Izraelit, ushtria po punon për të shkatërruar “çdo objektiv të mundshëm ushtarak” të regjimit të rrëzuar të Bashar Asadit, duke përfshirë tanke, avionë luftarak, selinë e inteligjencës dhe pajisje të avancuara ushtarake.

Dje, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi prishjen e një marrëveshjeje të monitoruar nga Kombet e Bashkuara (OKB), e cila krijoi një zonë tampon midis Izraelit dhe Sirisë, pasi forcat e regjimit sirian u tërhoqën nga zona pas rënies së regjimit të Asadit.

Siç raportojnë mediat izraelite, ushtria izraelite pranoi se forcat e saj kanë avancuar disa kilometra në zonën mbrojtëse të demilitarizuar në lartësitë e pushtuara siriane të Golanit, por pretendon se nuk synon të avancojë më tej.

Sot herët, ushtria tha se forcat e parashutistëve, së bashku me trupa të tjera, ishin vendosur në pozicione kyçe në zonën tampon dhe po kryenin ato që ushtria i quajti aktivitete mbrojtëse për të “parandaluar çdo kërcënim”.

Dje, ushtria izraelite kreu dhjetëra sulme ajrore në të gjithë Sirinë, duke vënë në shënjestër rreth 100 objektiva pas rënies së regjimit të Assadit.

Sipas mediave izraelite, sulmet ajrore kishin në shënjestër bazat ushtarake, stacionet e mbrojtjes ajrore dhe selitë e inteligjencës, si dhe depot e raketave me rreze të gjatë dhe të shkurtër, qendrat e prodhimit të armëve dhe rezervat e armëve jo-konvencionale.

Assad u largua nga Siria për në Rusi pasi grupet kundër regjimit dje herët morën kontrollin e kryeqytetit Damask, duke shënuar rënien e regjimit të Partisë Baath, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 1963.