Izet Mexhiti konfirmoi emrat që do t’i propozojnë për ministra të rinj

Izet Mexhiti, një nga liderët e koalicionit VLEN dhe kryetar aktual i Komunës së Çairit, sot i konfirmoi zgjidhjet kadrovike që do t’i propozojnë për vendet ministrore të lira. Mexhiti konfirmoi se ish-zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha, do të jetë ministri i ri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, transmeton Portalb.mk.

Për pozitën e zëvendëskryeministrit të parë është paraparë deputeti aktual dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali. Mexhiti theksoi se mbetet vetëm të përcaktohet se me cilin ministri do të udhëheqë Sali.

“Nuk do të ketë rekonstruksion, por do të ketë mbushje të vendeve. Ato po finalizohen. Ajo që dihet është se Bekim Sali do të jetë zëvendëskryeministër i parë dhe këto ditë duhet të definohet cili resor tjetër do ta mbulojë. Ndërsa ministër i ekologjisë do të jetë Muhamed Hoxha”, deklaroi Mexhiti.

I pyetur për informacionet që qarkullojnë në opinion se Bashkim Bakiu do ta zëvendësojë ministrin e Shëndetësisë, Azir Aliu, Mexhiti theksoi se për të gjitha detajet lidhur me ndryshimet eventuale të ministrave në disa resorë do të informojnë në mënyrë shtesë.

Sa i përket zgjedhjeve lokale të përsëritura në katër komuna, të cilat janë caktuar për 11 janar të vitit të ardhshëm, Mexhiti bëri të ditur se koalicioni VLEN do t’i kërkojë votat e qytetarëve në komunat Gostivar dhe Vrapçisht me kandidatë të rinj për kryetarë komunash.

Kryeministri Hristijan Mickoski sot paralajmëroi se emrat e ministrave të rinj nga koalicioni VLEN, të cilët duhet të plotësojnë pozicionet e lira në Qeveri, do të bëhen të ditur në fillim të javës së ardhshme.

Ai konfirmoi se nuk do të ketë ndryshime në shpërndarjen e resorëve dhe se partitë politike nga koalicioni VLEN do t’i mbajnë portofolët që i kanë pasur deri tani.

Emërimi i ministrave të rinj vjen pasi, Mexhiti, para se të zgjidhjet kryetat i Komunës së Çairit në zgjedhjet e 19 tetorit, ishte pjesë e qeverisë dhe mbante postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ekologjisë.