Ivanovska: Lloga ishte në udhëtim, Ministria e Drejtësisë na dha version tjetër të Kodit Penal nga ai që u miratua

Ministria e Drejtësisë i ka dërguar Antikorrupsionit version të ndryshëm të Kodit Penal, nga ai që është miratuar në Kuvend. Anëtarët e Antikorrupsionit nga mediat janë informuar se ekziston version tjetër i Kodit Penal, të cilin, deputetët me ngutësi e miratuan në Kuvend. Kështu deklaroi kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit (KSHPK) apo i njohur në opinion si Antikorrupsioni, Biljana Ivanovska gjatë panel-debatit të organizuar në Shkup nga Qendra Ballkanike për Politika Konstruktive “Solucija” me temë “Ndryshimet në Kodin Penal: flamur evropian për dezintegrim?”, ku u diskutua për ngjarjet e fundit me ndryshimin e Kodit Penal, të cilat shkaktuan reagim në opinion pasi që me të njëjtat amnistohen funksionarë dhe politikanë të profilit të lartë për vepra serioze penale, raporton Portalb.mk.

Krahas Ivanovskës, në panel ishin edhe Robert Scott Heaslett, drejtor i Institutit Kombëtar Demokratik në Maqedoninë e Veriut dhe Aleksandra Cvetanovska, kryetare e Shoqatës Maqedonase të Juristëve të Rinj, nën moderimin e bashkëthemelueses së “Solucija”, Katerina Sinadinovska.

Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit
Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit

Ne u mblodhëm për të komentuar draft-versionin që e morëm nga Ministria e Drejtësi, kurse njëkohësisht në mediume lexuam se po vihet në fuqi Kodi Penal i modifikuar. Atëherë në Gazetën Zyrtare e kërkuam atë version, të shohim çfarë po ndodh. Atëherë kuptuam se pjesët e ndryshuara nuk janë pjesë e versionit që e morëm nga Ministria”, tha Ivanovska, duke vënë në dukje se ndonëse ka ndryshime ligjore që miratohen për një kohë më të shkurtë, Kodi Penal nuk është një prej tyre, që mundet brenda një dite të shqyrtohen dhe miratohen nga Antikorrupsioni. Ajo tha se duhet të japë shpjegim edhe ministri i Drejtësisë, pse pikërisht në atë periudhë ishte në udhëtim.

Janë ndryshuar 3 nene nga Kodi Penal i vjetër, të cilat, sipas Ivanovskës, në vend që të kufizojnë afatet e seancave dhe të ndërmerren masa për gjyqtarët dhe prokurorët publik që nuk sjellin vendime brenda afateve të caktuara, janë shkurtuar kohëzgjatjet e dënimeve për të pandehurit. Me këtë, tha Jovanovska, ne përhapim mesazhin se korrupsioni shpërblehet.

Robert Scott Heaslett, drejtor i Institutit Kombëtar Demokratik në Maqedoninë e Veriut
Robert Scott Heaslett, drejtor i Institutit Kombëtar Demokratik në Maqedoninë e Veriut

Heaslett, sqaroi se legjislacionit i është vënë flamuri evropian, nëpërmjet të cilit përshpejtohet dhe lehtësohet procesi i miratimit. Kjo, sipas tij, zvogëlon aftësinë e Komisionit për ta diskutuar vendimin, për të përfshirë shoqërinë civile në proces, për të informuar qytetarët për ndryshimet”, tha ai.

Parlamentit i është rekomanduar të ketë një kalendar publik, ku do të jenë të shënuara të gjitha ngjarjet e rëndësishme, shembull kur do të bëhet ndryshim në ligj bashkë me data dhe informacione për atë se kur dhe si mund të komentojnë qytetarët për ndryshimet që do të vihen në fuqi. Ai shtoi se kjo është një ndër disa shembuj për të cilat Instituti mundohet të bashkëpunojë me Parlamentin, ashtu që të sigurojmë që më shumë njerëz ulen në tavolinë për të marrë vendime të informuara”, tha Heaslett.

Juristja Cvetanovska tha se me ndodhitë rreth ndryshimeve të Kodit Penal, shteti e humb besimin e qytetarëve, të cilët më tutje më, as nuk do të denoncojnë raste korrupsioni. Ajo ndër të tjerash u ndal të theksojë se me këto ndryshime në KP rrezikojnë të vjetërsohen shumë shpejtë 14 lëndë serioze penale, ku bëjnë pjesë rastet “TNT”, “Titanik”, “Titanik 2”, “Tenderët”, “Shkallët Spanjolle”, “Talir” etj.

Aleksandra Cvetanovska, kryetare e Shoqatës Maqedonase të Juristëve të Rinj
Aleksandra Cvetanovska, kryetare e Shoqatës Maqedonase të Juristëve të Rinj

“Bëhet fjalë për lëndë që përfaqësojnë interes të lartë publik. Lëndë që njerëzit i kanë ndjekur seancë pas seance dhe janë interesuar për atë se çfarë do të jenë pasojat… Kështu që, këto nuk janë ndryshime të thjeshta dhe nuk janë ndryshime që duhet të sillen brenda natës”, tha ajo Cvetanovska.

Sipas saj, me këtë është cenuar besimi i popullit, jo vetëm për atë se është shkurtuar afati i dënimit të këtyre veprave penale, por për atë që është më me rëndësi, për këtë vendim nuk janë pyetur avokatë, juristë, gjyqtarë dhe njerëz të tjerë që janë adekuat për të dhënë gjykime dhe kritika të kësaj natyre. “Kur populli sheh se ligjet te ne i vendosin njerëz që kanë ekspertizë, njohuri dhe përvojë,… atëherë do të fitojmë besimin e tyre”, potencoi Cvetanovska.

Kujtojmë se ndryshimet në Kodin Penal, të cilat Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi  në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), dhe i nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski, u botuan në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023.

Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, nga të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE. Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshinin ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.