Ismet Guri dhe dy të dyshuar tjerë përfunduan në Shutkë për vjedhjen e 840 mijë eurove nga DAP

Ismet Guri, funksionar i BDI-së, i cili paraprakisht ka qenë zëvendësdrejtor i Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe së fundmi u paraqit në tubimin e “Grupit të Zjarrit”, të cilët paralajmëruan formimin e partisë së re, pas daljes nga BDI, do të shkojë në Burgun e Shutkës, bashkë me dy të akuzuar tjerë pasi Gjykata Penale e Shkupit e ka pranuar propozimin e Prokurorisë për paraburgim 30 ditor, njofton Portalb.mk.

Me firma fiktive kanë marrë nga DAP 840 mijë euro, Ismet Guri në mesin e biznesmenëve dhe inspektorëve të arrestuar

15 persona janë dyshuar për shoqërim kriminal, evazion fiskal dhe pastrim të parave. Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit kanë formuar firma fiktive, të cilat nëpërmjet faturave të rrejshme, gjoja kanë paguar TVSH dhe tatim në Drejtorinë e të Ardhurave Publike, ndërkaq më pas në bazë të këtyre faturave fiktive, kanë kërkuar dhe marrë kthim të TVSH-së me vlerë prej 840.000 eurove.

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, sot nëpërmjet kumtesës njoftoi se ka nisur hetim kundër 15 personave fizikë dhe 3 kompanive në bazë të dyshimeve për dëmtim të buxhetit shtetëror për 840 mijë euro. Në mesin e të arrestuarve është edhe Ismet Guri, funksionar i BDI-së, i cili paraprakisht ka qenë zëvendësdrejtor i Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe së fundmi u paraqit në tubimin e “Grupit të Zjarrit”, të cilët paralajmëruan formimin e partisë së re, pas daljes nga BDI.

Bashkë me të, ka të arrestuar dhe inspektorë dhe drejtues të kompanive. Sipas Prokurorisë, personat e dyshuar kanë formuar firma, nëpërmjet të cilave kanë qarkulluar para me fatura të rrejshme dhe në bazë të atyre faturave kanë kërkuar kthimin e tatimit nga DAP.

“Gjatë muajit tetor të vitit 2020, në objekt hotelerie në Shkup, tre të dyshuarit, duke u njohur nëpërmjet një mikut të përbashkët, kanë formuar grup kriminal për me qëllim të kryerjes së veprës penale mashtrim tatimor. Pastaj, i kanë ndarë rolet, kështu që, i dyshuari i parë e ka shfrytëzuar marrëdhënien e tij kreditore me një person juridik, ndërkaq i dyshuari i dytë ka qenë i obliguar që të gjenden firma fiktive dhe të formohen persona të rinj juridik nëpërmjet të cilave do të gjenerojnë kërkesa fiktive ndaj Drejtorisë për të Ardhura Publike. Për këtë qëllim, në disponim kanë pasur tetë persona juridik me të cilët, realisht, por jo edhe formalisht i kanë drejtuar. Si person udhëheqës në DAP, i dyshuari i tretë edhe pse nuk ka pasur kompetenca, nga të punësuarit në DAP, ka marrë njoftime nëpërmjet sistemit elektronik dhe vazhdimisht ka qenë në rrjedhë me kthimin fiktiv të mjeteve të paligjshme në bazë të kërkesave të miratuara për marrjen e borxhit tatimor me tanimë tatimin e paguar dhe atë veçanërisht për tatimet fiktive”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Më vonë, si anëtarë të grupit kriminal janë kyçur edhe tetë persona gjatë së cilës dy prej tyre kanë pasur njoftim që të marrin pjesë në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për formimin dhe ndryshimin në personat juridik dhe për përgatitjen e dokumentacionit për paraqitjet tatimore, por edhe për nënshkrimin e marrëveshjes për kompensimin e tatimit me grante fiktive.

Ï dyshuari i gjashtë, si kontabilist të një pjesë të personave juiridik me të cilat disponojnë organizatorët e grupit kriminal, ka qenë i obliguar që të përgatitë dokumentacion fiktiv të personave juridik për në DAP në lidhje me paraqitjen tatimore TVSH 04, për shkak të marrjes ilegale të kthimit të mjeteve financiare nga tatimi i vlerës së shtuar nga DAP. Dy të dyshuarit, të punësuar në DAP, kanë pasur për obligim që t’i miratojnë mjetet për kompensimin e borxhit për tatimit të paguar të personave juridik, ndërkaq tre të dyshuar – udhëheqës në një pjesë të personave juridik, kanë pasur për detyrë si garantues tatimor të debitorëve tatimor të nënshkruajnë marrëveshje nëpërmjet të cilave për këmbim do të marrin mallra – derivate, pronë të tundshme – automjete luksoze dhe pronë të patundshme – banesa, të cilat më pas i kanë rishitur te personat e tretë, me çka në mënyrë të paligjshme kanë përfituar mjete financiare të gatshme, kështu që në bazë të këtyre marrëveshjeve fiktive janë lëshuar fatura fiktive, me llogaritje të TVSH-së, njëri ndaj tjetrit, ndërkaq më pas kanë dorëzuar kërkesa për kompensimin e borxhit tatimor me tatimin e paguar deri te Drejtoria për të Ardhura Publike”, njoftojnë nga DAP.

Në këtë mënyrë, të dyshuarit me qëllim që për vete të përfitojnë dobi pronësore në mënyrë të paligjshme, e kanë hutuar organin tatimor – Drejtorinë për të Ardhura Publike dhe në mënyrë të papërgjegjshme kanë kërkuar dhe përfituar kthim të tatimit të vlerës së shtuar me vlerë prej 51.626.637 denarë ose rreth 840.000 euro.

Përndryshe, Guri, vetëm para dy ditësh u pa në mesin e krerëve “Grupit të Zjarrit”, gjegjësisht fraksionit të BDI-së, të cilët paralajmëruan se do të formojnë parti të re, pasi që në BDI nuk kanë hapësirë për t’i shprehur kërkesat e tyre. Guri, para një jave u dënua me 3.5 vjet burg për lëndën “Titanik 3”, e cila ka të bëjë me parregullsi zgjedhore.