Ish-deputetja e RMV-së e dërgoi në Kushtetuese protokollin e Komisionit të përbashkët të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut

Protokolli i punës së Komisionit të përbashkët ndërqeveritar mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut është dërguar në Gjykatën  Kushtetuese nga Liljana Popovska, transmeton Portalb.mk.

Ky Protokoll është  nga takimi i dytë i Komisionit që u mbajt në Sofje më 17 korrik të vitit 2022.

Popovska theksoi se ky Protokoll nuk është miratuar në Qeveri dhe Kuvend, duke shtuar se kjo nuk është shpallur as në Gazetën Zyrtare. Ajo vlerësoi  se janë shkelur dhjetëra nene nga ligje të  ndryshme në Maqedoninë e Veriut.

Ndryshe, Dragi Gjorgiev, bashkëkryetar i palës së Maqedonisë në Komisionit e përbashkët maqedonaso-bullgar për çështje historike dhe arsimore, deklaroi më 28 korrik të vitit 2022 se nuk ndjen presion të madh nga Protokolli i nënshkruar me Bullgarinë, duke potencuar se afatet i vendosin politikanët, derisa Komisioni e ka rutinën e vet, rregullat dhe parimet.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.