Irani ngul këmbë se s’do ta ndalë pasurimin e uraniumit, me gjithë trysninë nga SHBA-ja
Diplomati më i lartë i Iranit ka këmbëngulur të mërkurën se Teherani nuk do ta ndalë kurrë pasurimin e uraniumit, duke e përsëritur qëndrimin e ashpër të republikës islamike në prag të rundit të ri të bisedimeve indirekte me Shtetet e Bashkuara për programin e saj bërthamor, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se “e kam thënë më parë dhe po e përsëris: pasurimi i uraniumit në Iran do të vazhdojë – me ose pa marrëveshje”, raportoi televizioni shtetëror.
Uashingtoni dhe Teherani kanë zhvilluar disa runde bisedimesh, përfshirë në nivel ekspertësh për hollësitë e një marrëveshjeje të mundshme.
Megjithatë, ende nuk është arritur asnjë marrëveshje dhe zyrtarë amerikanë – përfshirë presidentin Donald Trump, të dërguarin për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio – këmbëngulin se Irani duhet të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit.
Irani nuk kishte hequr dorë nga pasurimi i uraniumit as në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore.
Araghchi shtoi se Irani “tani po shqyrton nëse do të marrë pjesë në rundin e ardhshëm të bisedimeve dhe kur do të marrë pjesë”. Negociatorët janë takuar më parë në Muskat të Omanit dhe në Romë.
Të mërkurën më vonë, ministri i jashtëm i Omanit njoftoi se rundi i pestë i bisedimeve indirekte midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara do të mbahet të premten në Romë.
As Teherani e as Uashingtoni nuk e kanë konfirmuar takimin, apo nëse do të marrin pjesë.
Omani ka shërbyer prej kohësh si ndërmjetës, duke lehtësuar diplomacinë e heshtur mes tensioneve për programin bërthamor të Iranit dhe sigurinë rajonale.
Araghchi tha se Irani “nuk e ka braktisur kurrë diplomacinë. Do të jemi gjithmonë të pranishëm në tryezën e negociatave, dhe arsyeja kryesore për praninë tonë është mbrojtja e të drejtave të popullit iranian”.
“Ne i kundërvihemi kërkesave të tepruara dhe retorikës në tryezë”, shtoi ai.