Interkonektori për bashkim të RMV-së me gazsjellësin në Greqi ngeci në tender

Ndërtimi i interkonektorit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë ka ngecur në përzgjedhjen e realizuesit që do e ndërtojë atë. Banka Evropiane e Investimeve (BEI) e udhëheq procedurën e tenderit dhe ajo kryhet në përputhje me rregullat e saj, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Sipas deklaratave të fundit të drejtorit të kompanisë shtetërore NOMAGAS që administron me gazsjellësin, raporti i vlerësimit i është dërguar pranë bankës dhe tani janë në pritje të miratimit të saj.

Nga BEI thanë se tenderi është anuluar. Nuk specifikuan asnjë arsye, por thanë se procedurat e tenderit kryhen në përputhje të plotë me Udhëzuesin e Prokurimeve të BEI-t, që nënkupton konkurrencë të hapur, drejtësi dhe përzgjedhje të ofertës ekonomikisht më të favorshme.

Sipas burimeve të mirëinformuara për të gjithë procedurën, arsyeja është se banka ka gjetur një kusht në tender që nuk është në përputhje me rregullat e saj. Ndër të tjera në të ishte shkruar se realizues të punimeve mund të ishin edhe kompanitë vendase, gjë që në një farë mënyre ishte element kufizues.

Në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, nga BEI thonë se duhet ta sigurojnë shfrytëzimin e mjeteve të ndara për këtë projekt, por në përputhje të plotë me standardet e specifikuara në marrëveshjet financiare.

“Me qenë se BEI pak kohë më parë e hodhi poshtë rezultatin e tenderit, një zgjidhje e mundshme, nëse qeveria dhe Nomagas vendosin ta pranojnë këtë rekomandim, është rishpallja e tenderit”, thanë nga BEI.

Se ka një problem të tillë me tenderin e konfirmoi edhe kryeministri Mickoski në një intervistë televizive në të cilën tha se nuk pajtohet me ritenderim.

“Në vend që të prolongohet apo ritenderohet unë pres që projekti të zbatohet”. Tani institucioni financiar thotë se duhet bërë ritenderim. Pse? Pas 9 muajsh kanë konstatuar lëshime në dokumentacionin e tenderit. Dhe për momentin është me një çmim, po sikur pas ritenderimit të humbasin një ose dy vjet. Po sikur pas ritenderimit oferta më e favorshme të jetë 15 deri në 20 milionë euro më e shtrenjtë. Si do të dal para qytetarëve, çfarë do të them, anuluam një tender me vlerë X, tani kemi pranuar një tender me X+20 milionë euro. Si do të dukem unë pastaj?”, tha Mickoski.

Interkonektori i rëndësishëm për të gjithë rajonin

Në të njëjtën intervistë kryeministri Mickoski theksoi se projekti për interkonektorin është shumë i rëndësishëm sepse do të lidhë rajonin. Ai njoftoi se do të promovojë një interkonektor që do të lidhë gazsjellësin me Serbinë, por nuk zbuloi më shumë detaje. Pavarësisht pyetjeve shtesë që Radio Evropa e Lirë ia drejtoi Qeverisë, nga atje nuk dhanë asnjë përgjigje lidhur me detajet.

Pak kohë më parë Serbia dhe Rumania nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e një interkonektori që do të lidhë gazjellësit kombëtarë.

Atëkohë thanë se përveç që Serbia e redukton varësinë e saj nga gazi rus, me lidhjen e re ajo bëhet një vend i rëndësishëm transit për transportin e gazit në Evropën Qendrore.

“Ndërtimi i këtij gazsjellësi do të kontribuojë në radhë të parë në diversifikimin e rrugëve të furnizimit, që do të çojë në ofrimin e një furnizimi të sigurt me gaz në tregun serb”, thanë nga Ministria e Energjisë së Serbisë për Radion Evropa e Lirë.

Nga aty shtojnë se lidhja me Rumaninë do të krijojë mundësi për transportin e gazit nga ai drejtim në Bosnje dhe Hercegovinë, me të cilën Serbia tashmë është e lidhur me gazsjellës, “si dhe në tregjet në të cilat janë planifikuar interkoneksione për gazin, që para së gjithash është Maqedonia e Veriut”.

Përndryshe, fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022 e gjeti Maqedoninë e Veriut plotësisht të varur nga furnizimet me energji nga Rusia. Ashtu si Serbia, si dhe duke ndjekur shembullin e vendeve të Bashkimit Evropian (BE), drejt anëtarësimit në të cilën synon, Maqedonia e Veriut filloi të kërkojë një alternativë për gazin rus.

NOMAGAS nuk ka udhëzime se si të veprojë

Kompania shtetërore Nomagas, e cila menaxhon me gazsjellësin, pret që projekti me Greqinë të përfundojë, sepse është i një rëndësie rajonale.

“Ndërtimi i këtij interkonektori ka një rëndësi të madhe jo vetëm për vendin tonë, por edhe për të gjithë rajonin, për shkak të diversifikimit të burimeve tona të furnizimit me gaz natyror. Harta e furnizimit evropian po ndryshon në mënyrë dramatike dhe korridoret jugore të furnizimit po bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm. Kjo është shumë e rëndësishme për ne që të marrim një rol më të madh në tranzitin dhe furnizimin e gazit natyror në Evropën Qendrore dhe Lindore. Përfitimet nga kjo do të jenë shumë të mëdha”, thotë drejtori ekzekutiv i NOMAGAS, Bajram Rexhepi.

Rexhepi është optimist se mund të arrihet që ndërtimi të përfundojë në kohë, sepse procedura e shpronësimit është pothuajse e përfunduar, e kjo është pjesa më problematike e ndërtimit dhe që mund ta vonojë realizimin e ndërtimit.

Për sa i përket rritjes së konstruksionit financiar që është parashikuar, ai thotë se është e vështirë të parashikohet, sepse varet nga disa faktorë. Megjithatë, ai është optimist se nuk do të ketë nevojë për një gjë të tillë.

Përndryshe, në anën maqedonase interkonektori do të jetë i gjatë 67 km, nga Negotina deri në kufirin me Republikën e Greqisë. Në Greqi do të jetë deri në Nea Mesimvria, me çka do arrihet një gjatësi e përgjithshme deri në 123 kilometra. Projekti financohet me grant nga Banka Evropiane e Investimeve me një vlerë të pritshme prej mbi 83 milionë euro. Kapaciteti fillestar i gazsjellësit do të jetë 1,5 miliardë metër kub në vit, por me mundësi zgjerimi në 3 miliardë metër kub, ndërkohë që janë bërë edhe studime që gazsjellësi të ketë specifikimet e duhura për transportin e hidrogjenit të gjelbër.

Greqia e përgatitur për realizimin e proektit

Mediat greke shkruajnë se gazsjellësi Greqi-Maqedoni e Veriut duhet të lëshohet për rreth një vit, ndërsa burimet e tyre sqarojnë se punët për projektin po realizohen me ritëm të plotë. Nga aty sigurojnë se dorëzimi i tij do të jetë sipas afatit të paraparë – pra në verën e vitit 2025, më saktësisht në muajin qershor.

Në fund të vitit 2023, DESFA, që është operatori grek i sistemit të transportit të gazit, në të cilin një e treta e pronës është në pronësi të qeverisë greke, fitoi tenderin për mbikëqyrjen e ndërtimit dhe do ta ndërtojë edhe pjesën në Greqi.

DESFA ka ndarë për Corinth Pipeworks një kontratë me vlerë prej më shumë se 27 milionë euro për ndërtimin dhe furnizimin e afërsisht 56 ​​kilometra gypa të çelikut për pjesën greke të interkonektorit, raportojnë mediat greke.

Ata saktësojnë se e gjithë sasia e gypave të çelikut me diametër prej 30 inç të certifikuar për transportin e hidrogjenit do të prodhohet në impiantet e fabrikës greke “Corinth Pipe Works” në qytetin e Tisvit. Sipas mediave, blerja përfshin edhe mbulesë antikorozive të brendshme dhe të jashtme në tre shtresa, që do të bëhet në të njëjtën fabrikë.

Mediat lokale ende e vlerësojnë këtë projekt si me interes të përbashkët, por edhe se do të forcojë ndjeshëm sigurinë e furnizimit të Maqedonisë së Veriut. Gazsjellësi do i mundësojë Maqedonisë së Veriut t’i diversifikojë më tej burimet e saj të furnizimit dhe të krijojë korridore shtesë energjetike, duke i hedhur themelet për një integrimin e mëtejshëm të tregut të gazit natyror, si në rajonin e Ballkanit Perëndimor ashtu edhe në BE.

Mediat theksojnë se në të njëjtën kohë, projekti forcon më tej rolin e Greqisë si portë energjetike të Evropës Juglindore, me transportin e gazit natyror nga sistemi kombëtar grek i transportit të gazit natyror në Maqedoninë e Veriut dhe prej andej në pjesën tjetër të Evropës.