U shpall tenderi për ndërtimin e lidhjes së gazsjellësit ndërmjet RMV-së dhe Greqisë

Bashkimi Evropian sot shpalli tenderin për përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë gazsjellësin ndërlidhës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Këtë informacion e paralajmëroi dje ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Procedura e tenderit parashikon që kompanitë e interesuara të dorëzojnë ofertat e tyre jo më vonë se data 1 shkurt 2024, transmeton Portalb.mk.

Interkonektori me fqinjin jugor të vendit duhet t’i sigurojë furnizim më të besueshëm të gazit natyror, si dhe diversifikimin e burimeve nga të cilat RMV-ja merrte gazin, përkatësisht “Gazpromi” rus. Lidhja e vetme me gazsjellës ndërkufitar që ka aktualisht RMV-ja është me Bullgarinë.

Tubacioni i ardhshëm i gazit ndërmjet RMV-së dhe Greqisë është 123 kilometra i gjatë dhe do të ndërtohet në shtrirjen nga Negotina nëpërmjet Gjevgjelisë deri në Nea Mesimvria në Greqi.

Në këtë mënyrë, në të ardhmen do të sigurohet lidhje alternative për furnizimin me gaz natyror nga terminali i ardhshëm i LNG-së në Greqi, si dhe nga gazsjellësi TAP që sjell gazin natyror nga Azerbajxhani përmes Turqisë në Evropë.