Ura e Ibrit nuk ka qenë e mbyllur për këmbësorë
Ura e Ibrit ka qenë gjithmonë e hapur për kalimin e këmbësorëve dhe nuk është rihapur pas 25 vitesh, siç ka keqinformuar një portal nga Maqedonia e Veriut. Pas përfundimit të punimeve të BE-së për rivitalizimin e urës, ajo nuk është mbyllur asnjëherë për këmbësorë. Aktualisht, diskutimet janë duke u zhvilluar për hapjen e urës qendrore mbi Ibër edhe për qarkullimin e veturave, siç është paraparë me marrëveshjet e Brukselit, por, sipas komunitetit ndërkombëtar, në rrethanat aktuale nuk është e përshtatshme të hapet për automjete, shkruan Sbunker.
Më 4 shtator 2024, portali “Struga Ekspres” ka publikuar një video me pamje nga Ura e Ibrit në Mitrovicë, ku shihen këmbësorë duke kaluar urën nga jugu në drejtim të veriut të Mitrovicës. Në përmbajtje të postimit ka shkruar: “Qytetarët qarkullojnë lirshëm në të dy anët e qytetit pas 25 vitesh ‘si mollë e ndaluar’”. Ky postim, i cili u shpërnda në “Facebook”, ka marrë 1400 reagime, 257 komente dhe është shpërndarë 59 herë.
Marrë parasysh interesimin e madh të publikut për informacione rreth çështjes së urës, pas paralajmërimit të Qeverisë për hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve, shumë portale “clickbait” tentojnë ta shfrytëzojnë situatën për shtrirje sa më të madhe tek audienca.
Më 18 korrik 2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qeveria e tij synon hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta nga vendet e QUINT-it, komuniteti serb në veri, anëtarë të opozitës dhe shoqërisë civile.
I dërguari i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, më 6 shtator, është takuar me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ku mes të tjerash diskutuan edhe për urën. Ai përsëriti se “ura duhet të hapet, por hapja e saj duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë”.
Ura e Ibrit, që nga paslufta, ka qenë simbol ndarjeje midis shqiptarëve në anën jugore dhe serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës. Ka pasur periudha kur ka qenë e mbyllur edhe për qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve për shkak të barrikadave, porse, prej rivitalizimit të saj nga Bashkimi Europian, ajo nuk është mbyllur asnjëherë për këmbësorë.