Pas 13 vjetëve dhe qindra miliona euro të shpenzuara, procesi i gazifikimit në Maqedoninë e Veriut akoma i papërfunduar

Enti Shtetëror i Revizionit ka kryer kontroll të rregullta në procesin e gazifikimit të Maqedonisë së Veriut, duke e vlerësuar këtë si një proces i cili po zhvillohet ngadalë, transmeton Portalb.mk.

“Edhe pas 13 vjetëve, ndërtimi i tubacioneve për gazifikim nuk ka mbaruar komplet dhe disa pjesë të tyre nuk janë future në përdorim, por mungon edhe plani afatgjatë për zhvillimin e sistemit të shpërndarjes së gazit natyror në shtet, vetëfinancimi i tërësishëm i aktiviteteve – bartja e gazit natyrore dhe realizimi i aktiviteteve të ardhshme për ndërlidhje me shtetet fqinje”, sqaroi Revizioni.

Revizioni vlerësoi që ky proces ka pasur ndikim negativ në tranzicionin energjetik.

Në hulumtim është përfshirë puna e organeve përgjegjëse në periudhën prej vitit 2019 deri në shtator të vitit 2023, duke mos anashkaluar edhe zhvillimet e mëhershme.

“Pjesa më e madhe e projektit që është planifikuar me studimin e fizibilitetit ka filluar, por ndërtimi i të njëjtave zhvillohet me dinamikë të ngadaltë dhe ka devijime në raport me kohën e planifikuar, vendndodhjen e tubacioneve, si dhe mjetet e planifikuar financiare për ndërtim”, raportoi Enti.

Në periudhën prej vitit 2014 deri në vitin 2023 për ndërtimin e disa pjesëve të tubacioneve, janë nënshkruar marrëveshje dhe anekse në vlerë prej 156.4 milionë euro.