Interesim i madh i lexuesve për Panairin e Librit në Tiranë

Sot mbahet dita e tretë e Panairit të Librit në Tiranë, Pallati i Kongreseve është i stërmbushur nga numri i lartë i vizitorëve, veçanërisht fëmijëve që zgjedhin këtë aktivitet të rëndësishëm të kulturës për t’u njohur me librin, njofton Portalb.mk.

Botuesja, Rita Petro nga Shtëpia Botuese “Albas” Shqipëri për Portalb.mk tha se ata kanë sjellë 65 tituj të ri për publikn dhe se ka një interesim thuajse të të gjitha moshave për të gjitha zhanret e letërsisë.

“Shtëpia Botuese “Albas” ka sjellë për publikun 65 tituj të ri, jemi shumë të lumtur, dhe është një punë vërtet shumë e madhe, sepse është edhe një punë cilësore nuk është vetëm se ne kemi sjellë tituj të ri, por që kapin të gjitha zhanret. Sjellim nobelist, sjellim autorë të rëndësishëm të botës bashkëkohore, kemi letërsi bashkëkohore, kemi serinë e plotë, që po plotëson të gjithë veprat e Petro Markos. Tani kemi sjellë edhe një libër të Petro Markos që janë “Letrat e Dashurisë” të shkruara nga ai në burg”, tha Rita Petro.

Ajo shtoi se “sivjet kemi sjellë edhe librin “Më quajnë… Nexhmije Pagarusha”.

“Në një kolanë për fëmijë me biografitë e personazheve botërore e shqiptare. Çdo libër flet për një figurë të shquar të historisë, shkencës, artit, kulturës, letërsisë a të mendimit, që në vetë të parë tregon në mënyrë shumë të këndshme jetën dhe veprën e vet, si dhe mjedisin dhe kohën në të cilën jetoi. Ilustrimet e pasura, të frymëzuara nga epoka, na zhytin në kohën dhe botën e tyre”, tha Rita Petro.

Gjithashtu shtoi se panairi vizitohet nga fëmijë të moshave të ndryshme që nga mosha më e vogël, e deri kur fillon adoleshenca,  pastaj ka mos interesim për librin dhe ne mundohemi që të sjellim libra që tërheqin vëmendjen e tyre.

Shtëpia Botuese “Logos-A” nga Maqedonia e Veriut nesër do të realizojë promovimin 7 vëllimësh të rilindasit kombëtar Sami Frashëri, ky koleksion, me rastin e 120 vjetorit të vdekjes së tij, përfshin rreth 30 vepra, disa prej të cilave publikohen për herë të parë, kurse me datë 16 nëntor ora 13.00 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Logos-A realizon promovimin e veprave të këtij vigani me referues Prof. Dr. Xhevat Lloshi dhe Prof. Dr. Emil Lafe.

Panairi i 27-të i librit do të jetë i hapur deri të dielën, nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes.