Intelektuali shpresësjellës

Ferhan Jakupi Mertol, tetovari që jeton në Stamboll, është intelektuali me kulturë të rrallë, që e do Tetovën me gjithë shpirt dhe e kujton deri në imtësi çdo rrugicë e lagje ku e kaloi fëmijërinë.

Ai ka botuar librin “Tetova në rrjedhën e historisë” (Penda, 2025). Një libër me shumë fotografi dhe të dhëna për historinë e Tetovës. Në kohën kur imazhet e së kaluarës së qytetit po zbehen, ky libër është thesar imazhesh që e shënojnë historinë e qytetit.

Libri është edhe si një urë që lidh brezat. Është shkruar për ata që jetojnë në Tetovë dhe për tetovarët që jetojnë në Turqi.

Gjatë një bisede të këndshme, ai rrëfente me një shqipe të pastër e të rrjedhshme për Tetovën e rinisë së tij. Rrëfimet e tij nuk ishin vetëm personale, por edhe fragmente nga historia kulturore e Tetovës, me të gjithë protagonistët që punuan me përkushtim dhe idealizëm për ngritjen kulturore e arsimore të kësaj treve. Ky brez idealistësh e kuptoi kaherë se vetëm nëpërmjet dijes dhe kulturës mund të sigurohej mbrothësia kombëtare.

Ferhan Jakupi nuk na fali vetëm një libër për Tetovën. Ai na solli edhe shpresën për qytetin. Na kujtoi se ky qytet ka kulturë e qytetari, kurse tani vetëm duhet që të organizohet kaosi.

Heshturazi na bëri me dije se nuk mjafton vetëm të qahemi dhe të ankohemi, por duhet të punojmë dhe të veprojmë për të mirën e qytetit. Para se të veprojmë, na duhet shpresa dhe dashuria për vendlindjen. Duhet të njohim të kaluarën, të respektojmë gjithë ata burra e gra që punuan me idealizëm dhe, sipas shembullit të tyre, të punojmë bashkërisht për një të ardhme më të bukur.

Pse na duhet kjo shpresë dhe dashuri? Sepse popujt e rënë në ligështim e humbin ndjenjën për ndryshim. Fillojnë të besojnë se fati i ka zgjedhur të vuajnë dhe të jenë dëshmitarë të një rrënimi moral.

Ka shumë të rinj e të reja, me shumë kulturë, që qytetin e tyre e duan sa më të bukur, por ka edhe të tjerë që nuk merakosen se qyteti e ka humbur identitetin e veçantë që e ka pasur.

Nuk mjafton të themi se e duam vendlindjen. Duhet ta duam ashtu siç e deshën ata që sakrifikuan për këtë qytet. Duhet që kjo dashuri të jetë e rrënjosur në shpirtin tonë, ashtu siç e ka të rrënjosur në shpirt tetovari nga Stambolli.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.