Iniciativia “Kush e ka radhën” vendosi 100 mesazhe në Shkup për 100 ditë heshtje për Koçanin

Më 24 qershor, kur kanë kaluar saktësisht 100 ditë që nga tragjedia në Koçan, iniciativa “Kush e ka radhën”, vendosi 100 mesazhe pakënaqësie në qendër të Shkupit dhe para institucioneve kryesore – një për çdo ditë në të cilën institucionet heshtin, nuk marrin përgjegjësi dhe nuk ofrojnë ndihmë, transmeton Portalb.mk.

“Aksioni ishte një kujtesë e fortë dhe e dukshme se: prindërit dhe të mbijetuarit ende nuk kanë marrë asnjë mbështetje; autoritetet heshtin dhe i heshtin ata që mbijetuan; akuzat anashkalojnë në mënyrë selektive më të fuqishmit, të afërt me qeverinë; parlamenti votoi kundër mbështetjes financiare për familjet e viktimave.
Këto 100 mesazhe përfaqësojnë zërin e atyre që nuk dëgjohen – zërin e dhimbjes, zhgënjimit dhe kërkesën për drejtësi. Ato janë një dëshmi se qytetarët nuk harrojnë dhe nuk do të ndalojnë së kërkuari llogaridhënie, derisa: sistemi të funksionojë, viktimat të marrin mbështetje dhe drejtësia të arrijë tek ata që janë në pozicionet më të larta”, thonë nga iniciativa.

Kujtojmë se, zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 62 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Prokuroria ka ngritur akuza kundër 34 personave të cilët, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tyre brenda sistemit, shkaktuan katastrofën. Aktakuza përfshin gjithashtu tre kompanitë e pronarit të diskotekës, i cili është i pandehuri kryesor.