Incidenti te Qendra për Punësim në Tetovë, SHGM-ja kërkoi nga Policia zbardhjen e rastit

Ministria për Punë të Brendshme menjëherë duhet të zbardh rastin që ka ndodhur në Qendrën për Punësim në Tetovë, kërkoi Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), transmeton Portalb.mk.

“Shoqata i bën thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që pa vonesë t’i sqarojë të gjitha rrethanat e rastit, të hetojë përgjegjësinë eventuale të të gjithë personave të përfshirë dhe të veprojë në përputhje me kompetencat ligjore”, kërkoi SHGM-ja.

Ata raportojnë se gazetari dhe kameramani nga TV Telma është sulmuar nga drejtori i Qendrës për Punësim në Tetovë, Nehat Osmani, derisa po përgatitej kronikë rreth ankesave të qytetarëve rreth pritjeve të gjata gjatë procesit të dorëzimit të dokumenteve për masat e vetëpunësimit.

“Veçanërisht shqetësues është fakti se kameramani është detyruar t’i fshijë pamjet e regjistruara, me kërkesë të drejtorit dhe personave të tjerë të pranishëm”, raportoi SHGM-ja.