Ardhja e mërgimtarëve zbukuron dhe gjallëron vendbanimet tona. Në shumë shtëpi, ku me muaj ka mbizotëruar terri e heshtja, sërish ndizen dritat. Ardhja e tyre i lumturon prindërit dhe të afërmit. Lumturohemi kur takojmë shokët e fëmijërisë dhe kujtojmë çaste nga një kohë e largët, kur ndanim të njëjtat halle e brenga, të njëjtat gëzime e pikëllime, të njëjtat ëndrra e iluzione për jetën dhe të ardhmen. Gjatë bisedave shpesh tejkalojmë kohën kur jetët tona rrodhën ndryshe dhe ndikuan në formimet tona të mëvonshme…
Kur vijnë mërgimtarët e kuptojmë sa shumë njerëz kanë mërguar nëpër vende të ndryshme të botës. Ata kanë shumëçka që s’do ta kishin po të jetonin këtu, por përherë, kudo e kurdo, u mungon vendi i tyre. U mungon ajo që nuk blihet me asgjë dhe është më e rëndësishme se gjithçka tjetër, pra vendi i origjinës. Ardhja e tyre dëshmon lidhjen shpirtërore dhe të përhershme që kanë me vendlindjen.
“E dua fort këtë tokë për të qenë aty i huaj”, shkroi poeti Charles Dobzynski.
Në kohën tonë kjo mund të duket paksa romantike, por është një e vërtetë që e dinë të gjithë ata që kanë jetuar larg vendlindjes. Këtë ndjenjë e ka përshkruar mjeshtërisht Faik Konica te “Malli i atdheut”: “Kur vete njeriu, i lirë e i vetëm, larg atdheut – viset e reja, ndryshimi i zakoneve, ëmbëlsia e udhëtimit e një mijë gjëra që vihen re ndër popuj të huaj, të gjitha këto ta përgëzojnë zemrën e të bëjnë jo të harrosh Shqipërinë, po të mos të vejë tek ajo aq dendur mendja. Më tutje, si ngopen sytë së pari ndryshime, gazi shuhet pak nga pak. S’di ç’të mungon, s’di se ç’të duhet. Një hije trishtimi ta mbulon fytyrën; e, pikë së pari herë-herë, mbastaj më dendur e më në fund shpesh e pothuaj kurdo e kudo, kujtimi i prindërve, i miqve e shokëve, kujtimi i dheut ku u lindëm e u rritëm, ku qajtëm foshnja e ku lozëm djelm, kujtimi i atyre maleve larg të cilëve nuk rron dot mirë një shqiptar, kujtimi i kombit, që, me gjithë ca të liga që ka, është kombi ynë, e më tepër kujtimi e dëshira e etja e gjuhës sonë ta shtrëngojnë e ta dërrmojnë me të vërtetë zemrën”…
Mërgimtarët tanë po dëshmohen në të gjitha fushat. Ata i sheh si pedagogë e studentë nëpër universitete të ndryshme të botës.
Lumturohesh kur dëgjon lajme për sukseset e bashkatdhetarëve tanë në fushën shoqërore, shkencore, kulturore, artistike, politike, ekonomike, shëndetësore apo sportive. Kjo është dëshmi se shqiptari, kur ka kushte të mira pune, studimi e veprimi, prek majat e suksesit dhe të lavdisë.
Lumturohesh kur sheh mërgimtarët se si e lartësojnë kombin kudo e kurdo, duke e theksuar me krenari identitetin e tyre.
Lumturohesh kur sheh pjesëtarë të brezit të ri, të rritur në metropole europiane, sesi pa kompleks e theksojnë dhe mburren me identitetin kombëtar.
Ai që e vlerëson kombin dhe kulturën e tij, është më i vlerësuar nga të tjerët, kurse ai që e përçmon identitetin e tij, për t’u dukur kinse më i qytetëruar, është i pagdhendur nga dalta e kulturës dhe e qytetërimit. Sa më shumë të jesh i ditur dhe i kulturuar, aq më shumë i di vlerat e kombit tënd.
Kombi shqiptar ka vlera madhështore që e nderojnë dhe i mundësojnë të bëhet pjesë e tryezës së popujve të qytetëruar. Ka edhe vese, si çdo komb tjetër.
Ndodh që të vetëdijesohemi për vlerat tona vetëm kur lartësohen nga një i huaj. Sot më shumë ua dimë vlerën këngëve polifonike, sepse kompozitori gjenial, Ludwig Göransson-i, bëri kolanën muzikore të filmit “Odiseja”, duke u bazuar në iso-polifoninë shqiptare…
Mjerisht, kohët e fundit është shfaqur një tendencë për të krijuar perceptim të gabuar ndaj mërgatës. Harrohet se mërgata shqiptare, historikisht, ka dhënë kontribut jetik për çështjen kombëtare.
Rilindësit shqiptarë ishin mërgimtarë, që e shikonin atdheun nga larg me syrin e idealistit. E njëjta gjë ndodhi edhe më vonë: sa herë kombi ishte në rrezik, mërgata punoi për lirinë dhe mbrothësinë kombëtare. Prandaj ndaj saj duhet të shprehim respekt dhe mirënjohje.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.