IKJA E NJË KOLOSI

“Tani vështrimet nuk i drejtojmë më nga sundimtarët, po nga mendimtarët, prandaj tërë vendi dridhet kur zhduket një nga këto koka të mëdha”.

Këto fjalë që Viktor Hygoja i tha për Balzakun, i shkojnë ikjes në amshim të profesor Rexhep Qosjes, njërit prej studiuesve, shkrimtarëve dhe mendimtarëve më të rëndësishëm shqiptar.

Profesor Qosja, që lexoi dhe shkroi shumë libra, për koincidencë, iku në amshim më 23 prill, në Ditën Ndërkombëtare të Librit.

Profesor Qosja mund të krahasohet me Nestorin e veprës së Homerit. Nestori është simboli i dijes, i urtësisë, i guximit, i përvojës, i cili gjen zgjidhje në situata të vështira, kurse urtësia e tij është barazuar me guximin e Akilit…

Profesor Qosja ishte zëri motivues në kohë ligështimi. Ai kërkoi rregull në çrregullsi. Nuk ishte vetëm evidentuesi i problemeve shqiptare, por ofroi edhe formula për zgjidhjen e tyre, me dëshirën që shqiptarët të ishin pjesë e dialogut kulturor e qytetërimor.

Profesor Qosja i kritikoi edhe veset tona. Ai ishte model i intelektualit të guximshëm; mendimtari që punoi për ndërgjegjësimin e kombit kur trokiste ora e ligë; ideatori i një shkolle politike kombëtare të bazuar në përvojën e shkollës politike perëndimore, si dhe vazhduesi e avancuesi i mendimit të Rilindjes Kombëtare.

Vepra më e rëndësishme studimore e profesor Qosjes është studimi mbi romantizmin shqiptar, por ai u shqua edhe si shkrimtar i madh, veçanërisht me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”. Kjo vepër do të lexohet për sa kohë do të ketë Danjollë të Sherkës dhe për sa kohë sistemet totalitare do të shfaqen në kohë e vende të ndryshme të botës.

Profesor Qosja u shqua edhe si dramaturg dhe si eseist, por edhe si intelektual që nuk heshti në kohëra të vështira. Ai njihet për polemikat e shumta në shtypin jugosllav dhe shpesh ishte zë i vetmuar në shkretëtirë.

Profesor Qosja shkroi dhe foli me guxim intelektual për lirinë, të drejtën, të vërtetën duke iu kundërvënë çdo forme të dogmatizmit. Kryefjala e tij ishte: “Për lirinë, të drejtën dhe të vërtetën lë kokën”. Kësaj kryefjale i mbeti besnik gjithë jetën.

Ky hero i mendimit i mbrojti të drejtat e shqiptarëve kudo ku jetonin, sepse për të kufijtë kulturorë e gjuhësorë të një kombi ishin më të gjerë sesa kufijtë administrativë.

Profesor Qosja është sulmuar shpesh dhe kjo është e pritshme. Zakonisht, majat goditën më shpesh e më egër prej rrufeve të smirës, xhelozisë dhe mediokritetit.

Profesor Qosja, që i la kombit një pasuri të madhe, deshi që vdekja e tij të mos shoqërohej me protokolle e homazhe shtetërore. Ai donte të ikte në heshtje pas një jete të bujshme. Këtij akti i shkon shumë një poezi e Soreskut për Shekspirin.

“Shekspiri mendoi se pas një pune aq të lodhshme, / E meritonte dhe ai vetë të shihte një shfaqje, / Por, ngase qe i lodhur në ekstrem / Shkoi që të vdiste pak!”.

Si përfundim mund të themi se profesor Qosja do të mbetet figurë qendrore në historinë dhe letërsinë shqiptare, edhe kur shumë protagonistë të sotëm do të jenë harruar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.