Sot do të mbahet diskutim i hapur me të rinjtë në Tetovë për problemet e tyre
Me qëllim që zëri i të rinjve të zërë vend më të madh në hapësirën mediatike, sot, 5 maj (e martë) në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) do të mbahet një diskutim i hapur me studentët. Ngjarja, e cila organizohet në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, synon të shndërrojë sfidat e përditshme të studentëve në tema me interes publik.
Në një kohë kur mediat tradicionale shpesh anashkalojnë prioritetet e gjeneratave të reja, ky forum vjen si një platformë ku studentët do të jenë protagonistët kryesorë. Diskutimi do të zhvillohet në një atmosferë të relaksuar të tipit “open-mic”, duke u dhënë mundësi pjesëmarrësve të flasin pa doreza për realitetin e tyre, nga problemet urbane dhe sociale, deri te shëndeti mendor dhe perspektivat e punësimit.
Zëri i të rinjve dhe studentëve si bazë për narrativa mediatike
Qëllimi kryesor i këtij takimi është që problemet e identifikuara nga vetë të rinjtë dhe studentët të shërbejnë si bazë për storje investigative dhe narrativa mediatike me ndikim. Përmes këtij dialogu, synohet fuqizimi i të rinjve për të propozuar zgjidhje për sfidat e tyre lokale, duke i shndërruar idetë e tyre në pika referimi për politikat publike.
Diskutimi do të udhëhiqet nga kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari, së bashku me ekipin e gazetarëve të kësaj redaksie, të cilët do të bashkëbisedojnë me të rinjtë mbi mënyrën se si shqetësimet e tyre mund të shndërrohen në lajme që nxisin llogaridhënie dhe ndryshim.
Detajet e ngjarjes:
-
Tema: Të rinjtë flasin për problemet lokale
-
Data: 5 maj 2026
-
Ora: 11:00 – 12:00
-
Vendi: Future Skills Center, UEJL (Tetovë)
Ky aktivitet është pjesë e projektit “The Local Youth Lens”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian. Iniciativa ka për qëllim përfshirjen aktive të të rinjve në debatin publik, forcimin e lirisë së shprehjes dhe promovimin e pluralizmit mediatik në nivel lokal në Maqedoninë e Veriut.
Të gjithë studentët dhe të rinjtë e interesuar janë të ftuar të bashkohen për të ndarë përvojat e tyre dhe për të kontribuar në krijimin e një medie që pasqyron vërtet nevojat e rinisë.