Idhujt e rremë

Kuptimi figurativ i fjalës idhull është adhurim, nderim i tepruar ndaj dikujt, të cilit i vishen veti të jashtëzakonshme. Kështu thotë Fjalori i Gjuhës Shqipe, i cili na e mundëson njohjen e njerëzve që nuk mund të jetojnë pa idhuj, pa kulte, pa idolë, pa baballarë jobiologjikë dhe pa iu gjunjëzuar dikujt përulësisht.

Nga ky ilet nuk jemi imunë as ne shqiptarët. Prandaj kemi kaq shumë ekselenca e izmeqarë, të hymnizuar e hymnizues, shtypës e të shtypur, poshtërrues e të poshtërruar, ndrydhës e të ndrydhur, zhvatës e të zhvatur, vjedhës e të vjedhur…

Më të neveritshmit prej kultaxhinjëve janë sojsëzët që, për interese meskine, sillen si miza rreth idhujve të rremë dhe vetëdijshëm bëhen rapsodë oborresh për aq kohë sa obortarët janë lart, për të ngulur, pas sefasë, të parit hanxharët në shpinat e cezarëve të rënë fuqie dhe për t’u qepur “me dinjitet” pas cezarëve të rinj.

Në një shkrim të mëhershëm e kam thënë se: Sojsëzët janë në fakt krijuesit e faraonëve, ata që e bëjnë jetën nën hijen e yjeve prijës, shpinave mbrojtëse të jetës pa mund e plot luks. Të tjerët, ndërkaq, janë të sëmurit për mend, që nuk e dinë as pse i adhurojnë as pse i varrosin totemët e deridjeshëm.

Për ta kuptuar këtë mjafton pyetja: a njeh dikush ndonjë kapidan Shqiptarie të epokës së tranzicionit pa fund, të cilin nuk e himnizuam, nuk e shpallëm hero dhe nuk e ngjitëm në fron me hosanna skajshmërisht qesharake, apo ndonjë që nuk e shembëm pastaj përtokë dhe nuk e pështymë si tradhtar me barabba skajshmërisht poshtërruese? Sigurisht jo, sepse historia e kulteve është ileti ynë kronik, është sovrani që mendon se ua ka borxh jetën të zgjedhurve të tij, është gjynahu me tipare Sizifi që shtynë kodrës engjëj dhe rrokullis teposhtë djajë.

Këtë ilet me pamjen e kësmetit ogurzi, që nuk i shqitet njerëzimit të ndarë që nga zanafilla në shtresa shoqërore, të cilat nuk ndajnë interesa të përbashkëta dhe nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, e kanë portretuar prej shekujsh krijues gjigantë, në mesin e të cilëve bën pjesë dhe filozofi francez me prejardhje rumune, Emil Siorani, në esetë e të cilit sfidohen prometejshëm idhujt e pangijshëm me djersën e qenieve shpresëhumbura. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.