Pushteti politik, ushtarak dhe financiar në Rusi është në duart e njerëzve të afërt me Putinin, i cili projektohet si lider mesianik që punon për krijimin e “Rusisë së Shenjtë”.
“Rusia e Shenjtë” (1848) është titulli i një poezie të Pjotr Vjazemskit (1792 – 1878), i cili besonte që shtyllat kryesore ruse ishin: besimi ortodoks, historia e gjuha ruse, carizmi dhe antieuropianizmi.
Studiuesit dhe analistët sot flasin për putinizmin, që e përkufizojnë herë si një doktrinë dhe herë si një ideologji antiperëndimore, antiamerikane, antiliberale, autokratike, populiste, konzervatore, imperialiste dhe kolonialiste, që e thekson mbrojtjen e identitetit dhe vlerave tradicionale ruse. Kjo ideologji, siç thuhet, kërkon krijimin e një perandorie me president të fuqishëm, që e kontrollon çdo sferë shoqërore; që e pengon dhe e ndalon veprimtarinë e opozitës dhe të shoqërisë civile; që zhvillon politikë të jashtme agresive; që e thekson ndjenjën e madhështisë kombëtare; që i forcon lidhjet e shtetit me kishën dhe është kundër SHBA – së dhe vlerave europerëndimore.
Putinizmi mbështetet tek euroazianizmi, një lëvizje e shekullit XIX kundër ndikimit europian në botën ruse. Ideologët e euroazianizmit e theksonin se qytetërimi rus nuk ishte as europian dhe as aziatik, por një qytetërim i veçantë. Putini shpesh dhe qëllimisht i përmend termet “qytetërim” dhe “konservatorizëm”.
Ekspertët pyesin: A mund të ketë putinizëm, përderisa Putini nuk shquhet si ideolog? A është putinizmi një ideologji e krijuar nga ideologët që Putinin e shohin si politikanin e duhur për realizimin e ideologjisë së tyre? Dhe shtojnë se, megjithatë, ekziston një ideologji e quajtur putinizëm.
Edhe Putinit i pëlqen të shfaqet si “ideolog”. Kur filloi lufta në Ukrainë, ai u rekomandoi zyrtarëve dhe guvernatorëve që t’i lexonin librat: Detyrat tona nga Ivan Ilyin, Filozofia e pabarazisë nga Nikolai Berdjajev dhe Justifikimi i së mirës nga Vladimir Solovyov.
Filozofi Ivan Iljin (1883 – 1956) kërkoi krijimin e një shteti totalitar rus, me një udhëheqës të drejtë dhe me një Ukrainë si pjesë e Rusisë. Sipas tij, Europa kishte dështuar, kurse demokracia ishte e dëmshme për Rusinë.
Vladimir Solovjovi (1853 – 1900) ishte kundër Perëndimit, kurse këtë e thekson në librin Kriza e Filozofisë Perëndimore.
Nikolai Berdyaevi (1874 – 1948), një filozof ekzistencialist dhe antibolshevik, ishte kundër euroazianizmit, por mendonte se njeriu nuk mund të shkëputej nga e kaluara, nga traditat dhe nga rrënjët e historisë.
Putinistët u referohen edhe ideologëve të tjerë të euroazianizmit, siç janë: Lev Gumilovi (1912 – 1992), Konstandin Leontievi (1831 – 1891) dhe së fundmi Aleksandar Solzhenjicini (1918 – 2008) dhe Aleksandar Dugini (1962).
Lev Gumilovi ishte i biri i poetit Nikolai Gumilev dhe poetes Ana Ahmatova. Ai njihet si pionier i euroazianizmit. Sipas tij, Rusia ishte tërësi e veçantë civilizuese, kurse rusët një “super – etnos” i afërm me popujt turko – mongol të stepës euroaziatike.
Konstantin Leontievi i kundërshtoi ndikimet perëndimore në kulturën ruse dhe e përkrahu afrimin e Rusisë me Lindjen. Ai e theksoi se qytetërimi europian ishte larguar nga vlerat e epërme shpirtërore dhe e kishte humbur aftësinë që botës t’i jepte shenjtorë dhe gjeni.
Aleksandar Solzhenjicini ishte kundër pavarësisë së Ukrainës dhe liberalizmit perëndimor. Ai e promovoi krijimin e një shteti të bazuar në ortodoksinë ruse. Sipas tij, “një shtet i vetëm dhe i pavarur sllav, i bazuar në ortodoksinë ruse, do të ishte alternativë e shkëlqyer kundrejt liberalizmit dekadent perëndimor”.
Aleksandar Dugini e përkrah krijimin e Rusisë së Madhe brenda Bashkimit Euroaziatik dhe në konflikt me botën perëndimore. Ky kundërshtar i vlerave të demokracive perëndimore e krahasoi Perëndimin me Antikrishtin. Ai kërkon forcimin e shtetit, familjes dhe kishës, kurse nga institucionet dhe elitat intelektuale kërkon që të punojnë vetëm për idenë ruse. Dugini e mbështet fuqimisht Putinin dhe politikën e tij të jashtme. “Putini është kudo, Putini është gjithçka, Putini është absolut, Putini është i domosdoshëm”, tha ky mbështetës i aneksimit të Krimesë nga Rusia.
Shumë autorë europianë mendojnë që putinizmi mund të mbijetojë pas Putinit dhe jashtë Rusisë, për sa kohë rritet zhgënjimi nga qasja e Perëndimit.
Ka autorë që mendojnë se Putini shtiret kinse është i lodhur nga lufta në Ukrainë. Sa më shumë zgjat lufta, aq më shumë shoqëria ruse mbahet në gjendje mobilizimi. Nëpërmjet propagandës sajohen “armiq të brendshëm dhe të jashtëm” dhe krijohet atmosfera për imponimin e frymës putiniste.
Në një raport të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS, 27.9.2023), me titullin “Ideologjia e Putinizmit: a është e qëndrueshme?”, nga autorët Maria Snegovaya, Michael Kimmage dhe Jade McGlynn, thuhet se putinizmi është ideologji imperialiste dhe nacionaliste e orientuar drejt “luftës historike” kundër Perëndimit, për mbrojtjen e vlerave tradicionale familjare dhe kundër materializmit e individualizmit. Kjo ideologji, si e tillë, gjen mbështetje te njerëzit më pak të arsimuar.
Sipas raportit, Putini në fillim ishte pragmatist, por tani beson se është ideolog. Putini si ideolog është më i rrezikshëm sesa Putini pragmatist. Nëse pragmatisti tërhiqet nga vendimet e tij për çështje interesash, ideologu është stoik në qëndrimet e tij dhe nuk pranon kompromise, derisa synon të realizojë një mision.
“Putinizmi e shtron idenë e statizmit imperialist dhe nacionalist, që përforcohet nëpërmjet madhështisë, përjashtimit dhe luftës historike ruse kundër Perëndimit. Statizmi, si shtyllë kyçe e ideologjisë së Putinit, e ndërthur respektin për një shtet të fortë dhe të qëndrueshëm, që rusëve u mundëson të jenë rusë. Ky etatizëm bazohet te përjashtimet dhe te vlerat tradicionale. Shtyllë tjetër është qasja kundër Perëndimit. Kjo qasje, kur kombinohet me përjashtimin rus, e promovon nocionin mesianik të Rusisë si një shtet i madh i fuqisë dhe i qytetërimit. Kështu ruhet një polikulturalizëm me qendër ruse, me role tradicionale familjare e gjinore dhe si mbrojtje kundër materializmit e individualizmit. Fakti që kjo ideologji nuk shprehet në tekste filozofike, por shpesh përthithet nëpërmjet shenjave, simboleve dhe kulturës popullore, e bën të lakueshme dhe lehtësisht të tretshme nga njerëzit më pak të arsimuar”, thuhet në Raport.
A do ta ndihmojë kjo ideologji Putinin që të mbetet në pushtet?
Autorët e studimit thonë se kjo është e mundur, për sa kohë brenda Rusisë nuk ka forca kundër putinizmit dhe as nuk ka atmosferë për shfaqjen e një “identiteti alternativ properëndimor”, i cili mund të sfidojë propagandën e Kremlinit, veçanërisht pas eksodit masiv të liberalëve rusë si rezultat i luftës në Ukrainë.
Kësi zhvillimesh pati edhe në hapësirën e ish – Jugosllavisë gjatë viteve ‘90 të shekullit XX, kur politikanët dhe ideologët nacionalistë, që t’i realizonin synimet e tyre, u mbështetën te forca, mitologjia, historia dhe ideologjia kombëtare. Kjo qasje, që shkaktoi tragjedi të shumta, ende është e shprehur në këto hapësira. Tani afirmohet nga dishepujt e politikanëve dhe të ideologëve të dikurshëm.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.