Konflikti i individit me pushtetin është i pranishëm në veprat më të lashta letrare. Kur flasim dhe shkruajmë mbi këtë temë, mendja na shkon te miti i Prometeut, që u trajtua artistikisht edhe nga Eskili në trilogjinë mbi Prometeun, nga e cila mbeti vetëm Prometeu i mbërthyer, njëra nga kryeveprat e letërsisë botërore.
Në këtë vepër të thjeshtë në dukje, por që na zbulon të vërteta të trishta, kemi konfliktin e Zeusit, i cili e simbolizon gjithëpushtetshmërinë dhe tiraninë, me Prometeun stoik, i cili, sipas Emil Ciorane-it, në kohën moderne do të ishte deputet i opozitës.
Shkëndijën e lirisë dhe të dyshimit e mbajtën ndezur të rebeluarit. Por ata, sipas një ligji të pashkruar dhe mizor, përherë i fshikulloi kamxhiku i fatkeqësive.
Shkrimtari Xhabir Ahmeti është sivëlla i Prometeut. Në veprën e tij është e theksuar edhe tema e përballjes individ – pushtet, edhe pse kjo vepër është shumë më e gjerë në planin tematologjik.
Xhabir Ahmeti jetoi e krijoi edhe në kohën e njëmendësisë. Individi në sistemet represive ka një mundësi mbijetese: t’i nënshtrohet dogmës ideologjike dhe të mediokritizohet. Mundësia tjetër është që të veprojë me vullnet të lirë dhe të përjetojë fatin e Prometeut. Shkrimtarët e vërtetë shkruajnë për të gjetur paqe me vetveten dhe jo me pushtetin. Xhabir Ahmeti si krijues, si intelektual dhe si njeri, nuk bëri paqe me pushtetin e egër.
Krijimtaria prozaike dhe eseistike e Xhabir Ahmetit, karakterizohet edhe për humorin e veçantë.
Humori, që e josh lexuesin, është dhunti e shpirtrave të lirë. Milan Kundera e dallonte stalinistin dogmatik nga një komunist që shtirej varësisht sa kishte ndjenjë për humor. Diktaturat nuk e durojnë humorin. Ato e mbivlerësojmë kategorinë estetike të së madhërishmes ose të bukurës së frikshme.
Veçanti tjetër e prozës së Xhabir Ahmetit është shumëkuptimshmëria. Ajo është e hapur. I mundëson lexuesit të nxjerrë mesazhe të ndryshme.
Xhabir Ahmeti luan mjeshtërisht edhe me violinën e gjuhës. Një shkrimtar që nuk përballet me tiraninë e gjuhës, nuk mund as të krijojë vepra të bukura artistike. Fjalët ekzistojnë dhe mësohen lehtë, siç mund të mësohet lehtë edhe një gjuhë e re, e cila na shërben për komunikim të përditshëm dhe për gjëra utilitare, por gjuha e letërsisë është diçka tjetër. Ajo nuk është gjuhë e oratorisë apo e gazetarisë. Gjuha e letërsisë, nëse i referohemi Fromm-it, është gjuhë e harruar ose gjuhë ëndrre. Duhet të kesh talentin për ta njohur këtë gjuhë, ta kultivosh pandërprerë dhe më pas ta krijosh edhe gramatikën personale.
Shkrimtari Xhabir Ahmeti ka vjelë fjalë shqipe edhe nga dialektet, që e pasurojnë gjuhën. Nëse gjuha është si deti, atëherë dialektet janë si lumenjtë që e mbushin detin.
Për çdo shkrimtar gjuha është e shenjtë. Gjuha është atdheu i tij. “Gjuha mbeti me mua kur të gjithë më braktisën”, shkroi poeti Jehuda Amihai. Gjuha e letërsisë na shpie te qenia, siç tha Hajdegeri. Me këtë gjuhë arrijmë në yjësi të ndryshme dhe zbulojmë përmasa të reja ekzistenciale. Këtë gjuhë e njeh thellësisht Xhabir Ahmeti, ky shkrimtar i dashuruar pas “fjalëve plaka e të harrueme”, siç tha Pjetër Bogdani.
Edhe si dramaturg, Xhabir Ahmeti trajtoi artistikisht tema të ndryshme, kurse gjuha e personazheve është në përputhshmëri me konstitucionin kulturor të personazhit.
Xhabir Ahmeti i bëri shërbim kulturës shqiptare edhe me përkthimet e tij. Përkthyesit janë pasurues të një kulture dhe gjuhëpasurues. Ai përktheu krijime të autorëve shqiptarë në gjuhë të tjera dhe krijime të autorëve të huaj në gjuhën shqipe.
Për fund, le ta themi in media res: Xhabir Ahmeti është njëri nga krijuesit më të mirë që kemi. Vepra letrare e tij duhet të botohet e plotë, që të lexohet sa më shumë nga lexuesit e sotëm dhe të nesërm.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.