Hulumtim: Flora e egër në Prespë është e kontaminuar me 19 lloje të ndryshme pesticidesh, Vardari me plot baktere
Hulumtimet e Shoqatës Mjedisore të Maqedonisë tregojnë se tokat në Prespë janë të kontaminuara me pesticide, ndërsa arat pranë Vardarit janë të ndotura me bakteret fekale. Brenda Programit për Mbështetjen e Ekologëve të Rinj “Dr. Ljupço Melovski”, studentët, në bashkëpunim me institucione vendore, kanë vërtetuar se flora e egër në Prespë është e kontaminuar me 19 lloje të ndryshme pesticidesh, më së shumti në zonat e Pretorit dhe Resnjës, transmeton Portalb.mk.
Ndërkaq, hulumtimet tregojnë se aktiviteti i madh i njeriut kontribuon në ndotjen e lumit Vardar me bakteret fekale dhe bakteret treguese, gjë që ndikon në praninë e baktereve psikrofile dhe mezofile, baktereve koliforme, enterokokëve dhe Escherichia coli në tokat pranë lumit.
Siç informon Shoqata Mjedisore e Maqedonisë, një ekip hulumtuesish nga Fakulteti i Farmacisë në Shkup, i udhëhequr nga studente Jovana Danova dhe nën mentorimin e Krste Tashev, realizuan hulumtimin për të zbuluar nëse ekziston kontaminim sekondar me pesticide në florën e egër të rajonit të Prespës, duke përfshirë edhe ishullin Golem Grad.
Hulumtimi u krye në dy periudha, pranverë dhe vjeshtë, ku u mblodhën mostra nga lokacione të ndryshme rreth Liqenit të Prespës me largësi të ndryshme nga tokat bujqësore. Analizat treguan se ekziston kontaminim sekondar, me identifikimin e gjithsej 19 pesticidëve të ndryshëm gjatë të dy periudhave. Në përqendrime më të larta dallohen acetamiprid, pirimetanil dhe piraklostrobin, të cilët u gjetën në të dy periudhat e vitit.
“Në pranverë u identifikuan 10 pesticide, ndërsa në vjeshtë 12 pesticide. Pesticidet më të shumta u gjetën në mostrat nga rrethina e Pretorit dhe Resnjës. Në mostrat nga Krani u detektuan pesticide në pranverë, por ato munguan në analizat e vjeshtës, ndërsa situata e kundërt u vërejt në mostrat nga Stenja. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se në mostrat nga bregdeti pranë Stenjës dhe nga ishulli Golem Grad nuk u gjetën gjurmë pesticidesh as në pranverë, as në vjeshtë”, thonë nga shoqata.
Në hulumtimin e studentit Hristo Dimitrievski mbi diversitetin mikrobiologjik përgjatë lumit Vardar, fokusi ishte përcaktimi i pranisë dhe transferimit të baktereve fekale dhe treguese nga lumi në tokat përreth, për të vlerësuar rrezikun potencial për sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik. MED nënvizon se ekziston një lidhje e qartë mes diversitetit mikrobiologjik në ekosistemet ujore dhe tokësore të Vardarit dhe aktivitetit të njeriut, që reflektohet në praninë e shtuar të baktereve.
“Të dhënat treguan qartë se përqendrimi i baktereve psikrofile dhe mezofile, baktereve koliforme, enterokokëve dhe Escherichia coli rritet gradualisht nga burimi i lumit Vardar në Vrutok drejt pjesëve më të ulëta të tij në Shkup, Veles dhe Vallandovë. Të njëjtat baktere u detektuan edhe në tokat pranë lumit, veçanërisht në rajonin e Vallandovës, që tregon qartë se ndotja fekale e ujit të lumit mund të ndikojë drejtpërdrejt mbi shëndetin e ekosistemit mikrobiologjik të tokës. Impikimet e këtyre të dhënave janë jashtëzakonisht të rëndësishme, pasi tregojnë një kërcënim të qartë për sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik”, nënvizon shoqata.