VLEN i mashtroi qytetarët, nuk ua dhanë 10 mijë eurot e premtuara, alarmoi BDI
Koalicioni VLEN në krye me Izet Mexhitin i mashtroi qytetarët duke ju premtuar se do u japin nga 10 mijë euro, por të njëjtën nuk e kanë realizuar. Kështu ka reaguar sot Bashkimi Demokratik për Integrim, raporton Portalb.mk.
Nga BDI thonë se një nga mashtrimet më të mëdha, më të bujshme dhe më të përsëritura publikisht ishte premtimi për 10 mijë euro për çdo qytetar.
Ata theksojnë se kjo nuk ishte një slogan i paqartë, kjo ishte premtim i drejtpërdrejt i shitur si zgjidhje konkrete dhe o përdorur për të fituar besimin e qytetarëve
“Çfarë ndodhu me këto 10 mijë euro, ku janë sot? Nuk ka afat, nuk ka plan, nuk ka mekanizëm, nuk ka llogaridhënie…Kjo nuk është vetëm papërgjegjësi politike, është mashtrim ndaj qytetarëve. Kur u premton njerëzve 10 mijë euro, u krijon pritshmëri reale për një jetë më të mirë”, thanë nga BDI.
Lidhur me këtë premtim të parealizuar Portalb.mk raportoi muaj më parë.
Premtimi parazgjedhor i VLEN, 10 mijë euro për çdo qytetar, u promovua me pompozitet disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024.
Për të njëjtin premtim, pas hyrjes në qeveri me VMRO-DPMNE, protagonistë të VLEN u zotuan se premtimi i VLEN do jetë në plan qeveritar.
Megjithatë, një vit e gjysmë më vonë, nuk ka ende asgjë konkrete.