Bashkëpunëtori i afërt i Dodikut, Sinisha Karan, fitoi zgjedhjet presidenciale në Republika Srpska

Sinisha Karan, një bashkëpunëtor i afërt i liderit separatist Millorad Dodik, ka fituar zgjedhjet e parakohshme për president të Republika Srpska-s, pas një gare të ngushtë me kandidatin e opozitës, transmeton Portalb.mk. 

“Sipas rezultateve preliminare, jozyrtare dhe të paplota, Sinisha Karan ka marrë 50,89% të votave,” deklaroi kryetari i komisionit zgjedhor, Jovan Kalaba. 

Ai shtoi se kandidati opozitar, Branko Blanusha nga Partia Demokratike Serbe, ka siguruar 47,81% të votave. Pjesëmarrja në votime ishte 35,78%, ose rreth 17% më e ulët krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2022. Mandati i Karanit do të zgjasë më pak se një vit, duke pasur parasysh se zgjedhjet e rregullta të përgjithshme janë caktuar për tetorin e ardhshëm. 

Zgjedhjet u shpallën pasi Dodik u shkarkua nga posti i presidentit, pasi një vendim gjyqësor i shqiptoi ndalesë gjashtëvjeçare për ushtrimin e funksioneve publike, për shkak të moszbatimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, Kristian Shmid.  

Karan, i cili deri tani ishte ministër i zhvillimit shkencor dhe teknologjik, deklaroi se do të vazhdojë politikat e Dodikut “me edhe më shumë forcë”.