Mickoski e përsëriti se nuk ka ndërmend të ndryshojë Kushtetutën pa garanci nga Bashkimi Evropian

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me hapat specifikë për zgjidhjen e problemit me Bullgarinë, tha se është i gatshëm të ulet për të biseduar, por se qëndrimi i Qeverisë për këtë çështje është i njohur, si dhe vijat e kuqe, raportoi A1on, përcjell Portalb.mk.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë, vijat e kuqe janë të njohura, ne i kemi përshkruar ato vija të kuqe shumë herë më parë. Jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë, por nuk do të ishte korrekte që askush të presë që kjo Qeveri, deri sa unë jam Kryeministër, papritmas do të thotë se ajo që kemi thënë deri më tani nuk vlen, tani do të ulemi dhe do të bëjmë ndryshime kushtetuese. Të paktën deri sa unë jam kryeministër. Nëse vjen dikush tjetër, le të shtyjë për një politikë të ndryshme”, deklaroi Mickoski.

Sipas Mickoskit, deri sa ai është kryeministër, “tradhti dhe kapitullime të tilla nuk do të ndodhin”. Kryeministri Mickoski ka thënë disa herë se qeveria e tij nuk do të lejojë ndryshime kushtetuese pa angazhime specifike nga fqinji i saj lindor dhe garanci të qarta nga Bashkimi Evropian, duke vënë në dukje se ai gjithashtu pret respekt të vazhdueshëm për të drejtën ndërkombëtare si një parakusht për përparim.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Në fund të muajit tetor, presidentja Gordana Siljanovska – Davkova deklaroi se marrëveshja me Bullgarinë nuk përmban nen për ndryshimin e Kushtetutës.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.