Kakistokraci quhet sistemi qeverisës që drejtohet nga njerëzit më të pazotë, më të pandershëm dhe më gënjeshtarë.
Përse votuesit e pranojnë kakistokracinë?
Sepse i zgjedhin politikanët e ngjashëm si vetja. Pastaj, po këta politikanë, i çojnë njerëzit drejt humnerës, ashtu si prijësi i verbër te tregimi i Domanoviqit.
I akuzojmë politikanët kur punët shkojnë keq, sepse duam të vetëshfajësohemi. Por jemi ne që i votojmë dhe i fuqizojmë. Politikanët fuqizohen në shoqëritë ku mungon ndjenja për jetën e përbashkët.
George Carlin, një kritikues i shoqërisë amerikane, nuk votonte, sepse nuk dëshironte të zgjidhte ndërmjet dy të këqijave dhe as ta humbte të drejtën e ankesës. Se kur i voton të pandershmit dhe të paaftët, je përgjegjës dhe nuk ke të drejtë ankese.
Ky komentues i zellshëm i çështjeve politike në paraqitjen “Në mbrojtje të politikanëve” tha: “Të gjithë ankohen prej politikanëve. Të gjithë thonë se ata janë të këqij. Nga mendojnë njerëzit se vijnë politikanët? Ata nuk bien nga qielli. Nuk vijnë prej një realiteti tjetër nëpërmjet ndonjë membrane. Ata vijnë nga prindërit dhe familjet amerikane, nga shtëpitë amerikane, shkollat amerikane, kishat amerikane, bizneset amerikane, universitetet amerikane dhe zgjidhen nga qytetarët amerikanë. Njerëz, kjo është më e mira që mund të bëjmë. Kjo është ajo që kemi për të ofruar. Këtë e prodhon sistemi ynë: plehra brenda, mbeturina jashtë. Nëse keni qytetarë egoistë dhe injorantë, atëherë do të keni edhe udhëheqës egoistë e injorantë… Nëse vërtet faji është vetëm i politikanëve, atëherë ku janë gjithë ata njerëz të ndritur të ndërgjegjes? Ku janë gjithë ata amerikanë të lartësuar, të ndershëm, inteligjentë dhe të gatshëm të ndërhyjnë për ta shpëtuar kombin dhe për ta ndriçuar rrugën?”.
Njerëzit qeverisen keq kur e pranojnë një qeverisje si fat të paracaktuar. Kur heshtin dhe lejojnë të keqpërdoren nga politikanët dhe oligarkët.
Martin Luter Kingu tha: “Jeta jonë fillon të soset nga dita kur heshtim për gjërat e rëndësishme”.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.