Hekurudhë nuk përdorim, subvencione për automjete të reja nuk kemi, ndryshimet klimatike i injorojmë (Infografik)

Transporti merr pjesë me 28 përqind të emetimeve të përgjithshme të gazrave serë në Maqedoni dhe për momentin është në vend të dytë te burimet e materieve të dëmshme që kanë ndikim negativ mbi ndryshimet klimatike. Tek transporti nuk ekziston një qasje e integruar në zhvillimin e politikës për uljen e sasive të karbonit që i prodhojnë, ndërsa duhet të punohet edhe në drejtim të rritjes së vetëdijes tek organizatat e qytetarëve dhe publiku më i gjerë për zhvillim të sektorëve të gjelbër me emetime të ulëta të gazrave serë, shkruan Meta.mk.

Kjo është vetëm një pjesë e konkluzioneve të “Analizës më të fundit të zhvillimit dhe planifikimit konsistent të transportit në RMV nga aspekti i ndikimit mbi ndryshimet klimatike”, e përgatitur nga Shoqata maqedonase e juristëve të rinj në bashkëpunim me Eko-Svest dhe Organizatën për lidhjen e vlerave natyrore dhe njerëzve.

“Ndikimi negativ i sektorit të transportit mbi ndryshimet klimatike është si pasojë e disa aspekteve, siç është parku i vjetër i automjeteve të regjistruara, si dhe shpenzimi i lartë i lëndëve djegëse fosile (naftës dhe benzinës). Sipas të dhënave të fundit statistikore, rreth 85% e numrit të përgjithshëm të automjeteve për udhëtarë në nivel nacional janë më të vjetra se 10 vite; gjegjësisht vjetërsia mesatare e automjeteve për udhëtarë në vitin 2021 arrin pothuajse 20 vite”, thuhet në analizë.

Paralelisht me këtë, dokumenti konstaton se numri i automjeteve që janë të regjistruar në vendin tonë vazhdon të rritet, ndërsa pjesa më e madhe e tyre e përdorin naftën si lëndë djegëse, edhe pse pikërisht ajo është ndotësi më i madh i ajrit.

“Në vitin 2012, 30,72 përqind e automjeteve kanë përdorur naftë, ndërsa në vitin 2021 kjo përqindje rritet në 56,8 përqind”, thuhet në dokumentin e publikuar.

Njëherit, në analizën e publikuar së fundmi thuhet se ekzistojnë projektime të ndryshme të emetimeve të gazrave serë nga transporti në periudhën e mëtejme, në varësi prej asaj se cili skenar i Strategjisë afatgjate për aksionin klimatik me plan aksionar i vendit tonë, do të implementohet nga ana e autoriteteve. Megjithatë, e gjithë kjo varet nga plotësimi i masave dhe rekomandimeve konkrete që janë dhënë – përdorim më i madh i hekurudhës, rinovim i parkut nacional të të gjithë automjeteve, mobilitet i avancuar, ndërtim i hekurudhës drejt Bullgarisë dhe elektrifikim i transportit.

Implementimi i këtyre aktiviteteve nga ana e autoriteteve maqedonase duhet të kontribuojë që në vitin 2040, 3 përqind e kilometrave rrugorë të automobilave, 1 përqind e kilometrave rrugorë të autobusëve dhe 6,6 përqind të kilometrave me tonazh të automjeteve të rënda të realizohen me transport hekurudhor. Gjithashtu, automjetet hibride elektrike deri në vitin 2040 duhet të marrin pjesë me 35% të kilometrave të përgjithshme të përshkuara nga automobilat në Maqedoni, ndërsa supozohet se në vendin tonë në vitet në vijim do të shiten vetëm vetura të reja bashkëkohore që i plotësojnë standardet e BE-së.

Në vitin 2040, hekurudha drejt Bullgarisë do të duhet të zëvendësojë të paktën 5 përqind të kilometrave me tonazh të automjeteve të rënda, ndërsa në qytetet e Maqedonisë më së pakti 3 përqind e kilometrave me udhëtarë me distancë të afërt të zëvendësohen me ecje, përdorim të biçikletave ose trotineteve elektrik.

Bëhet fjalë për qëllime jashtëzakonisht ambicioze dhe konkrete, për të cilat autoritetet maqedonase duhet të realizojnë aktivitete qartë të përcaktuara. Sepse pjesa më e madhe e tyre në analizën e publikuar i adresohen Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, Meta.mk e pyeti këtë ministri se cila nga detyrat tashmë të dhëna për plotësim ka filluar me realizim, e që është në funksion të vënies nën kontroll të emetimeve në rritje të gazrave serë.

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve deklarojnë se nuk e kanë në shqyrtim këtë analizë, por potencojnë se marrin pjesë aktivisht në përpilimin e masave dhe politikave për transport të qëndrueshëm në organizim të Bankës botërore dhe Kombeve të bashkuara.

Në bashkëpunim me Sekretariatin për Çështje Evropiane, institucione të tjera shtetërore, organizata qytetare dhe Delegacionin e BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nga kjo Ministri punojnë për përpilim të një liste të projekteve prioritare që do të jenë të përfshira në Programin operativ sektorial për transport për vitet 2024-2027.

Ndër projektet që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor, si dhe projektet nëpërmjet të cilave promovohen zgjidhje inovative, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve këtë muaj do të shpallë thirrje publike për instalim të sistemit Inteligjent të transportit në autostradën përgjatë Korridorit 10, ndërsa janë duke punuar edhe në ndërtimin dhe modernizimin e infrastrukturës rrugore.

“Në pjesën e hekurudhës jemi duke punuar në ndërtimin e hekurudhës së Korridorit 8 drejt Republikës së Bullgarisë, si një nga sistemet më efikase të transportit në aspektin e rritjes së nivelit të segmentit ekologjik në transport. Jemi të kyçur në mënyrë aktive edhe në procesin e ndërtimit të nyjës multimodale si kombinim i transportit hekurudhor dhe rrugor”, thonë për Meta.mk nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Përndryshe, në analizën e publikuar nga ana e Shoqatës maqedonase të juristëve të rinj shënohen një sërë rekomandimesh, për të cilat nevojitet edhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve, ndërsa një pjesë e tyre janë: vendi duhet ta miratojë Ligjin për aksion klimatik dhe me vendosmëri ta zbatojë qëllimin strategjik që ia ka vendosur vetes – uljen e emetimeve të gazrave serë nga transporti për 15,1 përqind deri në vitin 2025. Gjithashtu, midis rekomandimeve të dhëna është vendosur edhe shfrytëzimi i mundësive që i japin programet e BE-së dhe vendeve e organizatave të tjera për aplikim në projekte.

Shkalla e motorizimit në Maqedoni është e ulët në krahasim me BE-në

Të dhënat ekzistuese për shkallën e motorizimit të popullatës në Maqedoni kundrejt vendeve anëtare të BE-së tregojnë se problemi me emetimin e gazrave serë nga sektori i transportit do të rritet nëse nuk merren seriozisht masat dhe aktivitetet që duhet t’i plotësojnë autoritetet.

Kështu, Enti Shtetëror i Statistikës ka përllogaritur se në vitin 2021 numri i automobilave “për banor” është rritur në 260 automobila në çdo 1.000 banorëMaqedonisë. Kjo shkallë e motorizimit të popullatës është shumë më e ulët se vendet anëtare të BE-së për vitin identik. Mesatarja e BE-së në vitin 2021 ka qenë 567 automobila në 1.000 banorë.

Numër më të madh të automjeteve kanë poseduar qytetarët e Luksemburgut (698 automjete1.000 banorë), Polonia (684 automjete1.000 banorë) dhe Italia (672 automjete1.000 banorë), ndërsa shkalla më e ulët e motorizimit është regjistruar në Hungari (413 automjete1.000 banorë), Letoni (400 automjete në 1.000 banorë) dhe Rumani (396 automjete1.000 banorë).

Kjo praktikisht domethënë se numri i automjeteve të regjistruara edhe më tej do të rritet me tempo të përshpejtuar, së bashku me rritjen e standardit të qytetarëve të Maqedonisë dhe importit të mëtutjeshëm të automjeteve në vend. Meta.mk shkruan se disa vite të fundit blerja e automjeteve të reja nga qytetarët është temë aktuale edhe në shumë nga vendet e BE-së, posaçërisht në Evropën Juglindore dhe Qendrore. Ajo çka i dallon vendet anëtare të BE-së është se autoritetet e Maqedonisë jo mjaftueshëm i stimulojnë qytetarët që të përdorin transport alternativ dhe të blejnë automjete të reja, kryesisht që lëvizin me energji hibride dhe elektrike.