Hamasi sulmoi Tel Avivin me raketa për herë të parë pas 4 muajve

Grupi i rezistencës palestineze Hamas tha sot se ka gjuajtur një breshëri raketash drejt qytetin izraelit bregdetar të Tel Avivit, transmeton Anadolu.

Krahu i armatosur i grupit, Brigadat Qassam, tha se sulmi “ishte në përgjigje të masakrave izraelite kundër civilëve”.

Radioja e ushtrisë izraelite tha se sirenat u aktivizuan në zonën më të madhe të Tel Avivit në Izraelin qendror.

Sulmi i sotëm me raketa është i pari në katër muaj në qytetin izraelit që nga 29 janari.

Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm.

Afro 36.000 palestinezë janë vrarë në Gaza, shumica dërrmuese gra dhe fëmijë, dhe mbi 80.600 të tjerë janë plagosur që nga tetori pas një sulmi nga Hamasi.

Gati tetë muaj pas fillimit të luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë në rrënoja, krahas një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për “gjenocid” në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në vendimin e saj të fundit ka urdhëruar Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin e tij në Rafah, qytet në Gazën jugore ku më shumë se një milion palestinezë të zhvendosur kishin kërkuar strehim.