Grupi Parlamentar i PD mbështet amnistinë, cilat janë tre propozimet

Grupi Parlamentar i PD ka vendosur të mbështesë amnistinë, por ka tre propozime, raporton TopChannel. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar që të përjashtohen nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale të gjithë personat e gjykuar apo hetuar për vepra penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të kryera deri në datën 31 Mars 2024, pavarësisht datës së regjistrimit të tyre.

Propozimi i dytë konsiston në përjashtimin nga amnistimi, qoftë sa i përket vuajtjes së dënimit, uljes së dënimit apo ndjekjes penale, të gjithë funksionarët e lartë të hetuar dhe/ose gjykuar nga strukturat e posaçme antikorrupsion apo që janë subjekt i deklarimit të pasurisë, si deputetë apo kryebashkiakë.

Në propozimin e tretë, opozita kërkon një rritje të masës së përfitimeve nga amnistia, qoftë në drejtim të uljes së dënimit me 2 vite për gratë dhe 1.5 vite për burrat, qoftë në drejtim të datës së dënimit, fillimit të hetimeve apo kryerjes së veprës penale deri në 31 Mars 2024, nga 31 Janari 2024 që parashikonte versioni aktual i projektligjit.