“Higjiena Komunale – Shkup” filloi me punë, Çairi ende i stërmbushur me mbeturina

Edhe pse punëtorët e “Higjienës Komunale” të Shkupit i dhanë fund protestës së tyre, megjithatë Portalb.mk. ka vërejtur se në disa nga lagjet e komunës së Çairit ende ka kosha të stërmbushur me mbeturina. Nga to kundërmon erë e keqe dhe janë rrezik potencial për përhapje të sëmundjeve. Nga “Higjiena Komunale”, nga ana tjetër, thonë se po punojnë në “mënyrë intensive”, ndërkaq nga kjo ndërmarrje vazhdon shkarkimi i punëtorëve.

Ekipi i Portalb-it, ishte sot në terren për të parë sesi shkon pastrimi i lagjeve të Çairit (kliko për video), pas protestave të punonjësve të “Higjienës Komunale”. Nga ajo që pamë që nga orët e mëngjesit, ishin koshat ende të papastruar që lëshonin erë të keqe. Në disa vende kishte dhe kosha të pastruar, por dukej sikur këtë e kanë bërë me vet-iniciativë qytetarët dhe jo se shërbimet e pastrimit kanë kryer punë.

Për këtë papastërti, banorët e Çairit u ankuan në redaksinë tonë.

Drejtoresha e Higjienës Komunale, Kosana Mazneva Nikoliq, tha se po punohet në terren.

“Territori i qytetit të Shkupit është mjaft i madh dhe i gjerë, kështu që, ne nuk ndalojmë së punuari, janë grumbulluar sasi të mëdha të mbeturinave. Nesër do të bëjmë një njoftim zyrtar. Dua të falënderoj të gjithë qytetarët për durimin që patën gjatë gjithë kësaj periudhe” deklaroi Nikoliq për Meta.mk.

 

Kontenjerët në komunën e Çairit/ Foto: Portalb.mk
Kontenjerët në komunën e Çairit. Foto: Portalb.mk

 

Ndryshe, dhjetëra punëtorë të Higjienës Komunale Shkup prej mbrëmjes së 7 korrikut (e premte) deri në mesditën e 10 korrik (e hënë) kanë protestuar dhe refuzuar të dalin në terren për t’i kryer detyrat e punës, për katër kërkesa kryesore, gjegjësisht kthimin e 7 punëtorëve të përjashtuar nga puna pa arsye, harmonizimin e rrogave me rrogën minimale, regres të pagës (K-15) dhe stazh të beneficuar. Me anë të forcave të njësive speciale, drejtoresha e ndërmarrjes në natën mes 9 dhe 10 korrik i nxori 4 kamionë nga hapësirat e ndërmarrjes, ndërkaq të nesërmen me rekomandim të Sindikatës punëtorët u rikthyen në terren. Pasdite, drejtoresha shkarkoi edhe 27 të punësuar tjerë.

Drejtoresha, Kosana Mazneva, e përkrahur nga kryetarja e Shkupit Danella Arsovska, në konferencë për shtyp, ashtu sikur edhe paraprakisht, me dhjetëra herë akuzuan se “struktura mafioze” pengojnë funksionimin normal të ndërmarrjes dhe bllokojnë punën. Akuzat, gjithashtu, ishin edhe për persona që siç thanë, marrin rrogë dhe nuk shkojnë në punë, por edhe për vjedhje të naftës, vajit për makina dhe pjesëve të automjeteve.