Greqia reagoi për arrestimin e kandidatit në Himarë, u përgjigj Tirana zyrtare
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis reagoi nga ishulli i Lesbos ku po bën fushatë për zgjedhjet parlamentare greke lidhur me arrestimin në Shqipëri të kandidatit për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, i akuzuar nga prokuroria për blerje votash, raporton VOA.
“Më lejoni këtu të hap një parantezë dhe të them diçka për një ngjarje jashtëzakonisht të pakëndshme të ndodhur në Shqipërinë fqinje, mëngjesin e sotëm, ku fatkeqësisht u arrestua kandidati për kryetar të Bashkisë së Himarës dhe anëtari i minoritetit kombëtar grek, Fredi Beleri”, deklaroi zoti Mitsotakis.
“Nëse Shqipëria dëshiron të afrohet me Bashkimin Evropian, ka detyrimin të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme bashkiake dhe të lirojë menjëherë ata që ka burgosur, në mënyrë që ata të marrin pjesë në procesin zgjedhor”, shtoi kryeministri grek.
Në një postim më herët në rrjetin social Facebook, zoti Mitsotakis shkruante: “Informova Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen për arrestimin, për akuzat e pabaza të kandidatit për kryetar bashkie të Himarës dhe anëtarit të pakicës kombëtare greke Fredi Beleri, dy ditë para zgjedhjeve. Shqipëria duhet të kuptojë se Greqia dhe Bashkimi Evropian nuk do të bëjë lëshime në sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke”
Edhe Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias reagoi në rrjetin social Twitter nga Stokholmi para një takimi joformal të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian për arrestimin e kandidatit për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.
“Arrestimi, dy ditë para zgjedhjeve, i anëtarit të minoritetit grek, Fredis Beleris, kandidat për kryetar bashkie në Himarë të Shqipërisë, si dhe një tjetër shtetasi grek, përbën një skandal nëse nuk ka prova të pakundërshtueshme. Për këtë e kam njoftuar tashmë Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell,dhe ministrin e Jashtëm suedez Tobias Billstrom që ushtron Presidencën” deklaroi zoti Dendias.
Pas reagimeve të Athinës zyrtare reagoi edhe ministrja e Jashtme shqiptare, Olta Xhaçka.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter ministrja Xhaçka shkruan: “Me respekt i nxisim miqtë tanë në Athinë që të monitorojnë nga afër zhvillimin e çështjes, me durim, duke lejuar drejtësinë shqiptare të bëjë punën e saj pa presione të jashtme apo mesazhe përçarëse. Është mirë të mbajmë të informuar Brukselin, por duhet të presim edhe shfaqjen e fakteve”.
“Blerja e votës është një shkelje e rëndë në legjislacionin tonë dhe të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit kanë prioritet luftimin e saj gjatë kohës së zgjedhjeve. Kjo vlen për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, përfshirë vëllezërit dhe motrat e minoritetit grek që marrin pjesë në zgjedhjet tona “, vijon ministrja e jashtme shqiptare Olta Xhaçka..
“Kandidatura e shtetasit shqiptar, Alfred Beleri që kandidon për zgjedhje nga bashkëqytetarët e tij, nuk kërkon ndonjë trajtim të veçantë. Ai është i barabartë para ligjit si kushdo tjetër. I takon vetëm prokurorëve dhe gjyqtarëve që ta trajtojnë këtë çështje në përputhje me provat”, shprehet ministrja e Jashtme shqiptare, Olta Xhaçka ne rrjetin social Twitter.