Ish-ministrja u shpall e pafajshme për rastin “Tenderët”, Prokuroria paralajmëroi ankesë

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, ish ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska Milevska, sot u shpall e pafajshme për “keqpërdorimin e pozitës dhe autorizimit zyrtar”, raportoi MIA. Kançeska Milevska e cila ishte e akuzuar e parë në lëndën “Tenderët” në lidhje me tenderin për kryerjen e punëve ndërtimore në Muzeun e Luftës Maqedonase për Pavarësi dhe Shtetësi, si pjesë e projektit “Shkupi 2014”, bashkë me të akuzuarit Julijana Ugrinovska dhe Lidija Llazarova Cvetkovska, anëtare të Komisionit për Furnizime Publike, ishin liruar nga faji, sepse, sipas Gjykatës, prokuroria nuk ka dëshmuar jashtë dyshimit të arsyeshëm se të akuzuarat e kanë kryer veprën. 

Sipas aktakuzës, një pjesë e punëve ndërtimore në Muze janë kryer në interes të personit juridik “Beton” nga Shtipi. Para se të publikohej shpallja për dhënie të kontratës për furnizim publik dhe para se të zbatohej procedura, në kundërshtim me Ligjin për Furnizime Publike, Kançeska Milevska, përmes bisedimeve me drejtorin e përgjithshëm të ndërmarrjes ndërtimore “Beton” nga Shtipi, urdhëroi vazhdimin e punës së Muzeut, ku punimet ndërtimore janë kryer sipas kontratës së lidhur më parë për furnizim publik.

Procesin e udhëhoqi gjykatësi Osman Shabani, ndërsa aktakuzën e përfaqësonte prokurori Publike Stevço Donçev.

Pasi që ta marrim aktvendimin në afatin ligjor do të parashtrojmë ankesë. Shpresoj se Gjykata e Apelit në Shkup, e cila është kompetente të vendosë për ankesën, do të marrë vendim të drejtë dhe ligjor, deklaroi prokurori publik, Stevço Donçev pas aktvendimit për pafajsinë në rastin “Tenderët”.