Gjykimi kundër Stefan Llazarovit dhe Dragan Pavlloviq Llatasit është shtyrë për më 19 qershor
Gjyqi ndaj gazetarit Dragan Pavlloviq-Llatas dhe YouTuber-it Stefan Llazarov është shtyrë për 19 qershor për shkak se mbrojtja ka kërkuar që provat në dispozicion të prokurorisë t’i paraqiten në tërësi. Të dy akuzohen për veprën penale “përhapje e materialit racist dhe ksenofobik nëpërmjet një sistemi kompjuterik”, transmeton Portalb.mk.
Më 21 shkurt, Prokuroria Themelore Publike – Shkup ka ngritur aktakuzë kundër Pavlloviqit dhe Llazarovit për përhapjen e materialeve raciste dhe ksenofobike përmes një sistemi kompjuterik. Prokuroria Publike bëri të ditur se dy të pandehurit përhapën përfaqësim racist dhe ksenofobik të një ideje që promovon dhunën ndaj grave përmes një sistemi kompjuterik, gjë që shkaktoi reagime dhe shqetësim në opinion.
“I pandehuri i parë, duke u paraqitur në një intervistë të publikuar më 14 shkurt si podcast në kanalin YouTube të të pandehurit të dytë, promovoi publikisht akt dhune me bazë gjinore, duke evokuar kujtime të të kaluarës së tij të supozuar, pa shprehur dënim moral ose pendim, duke promovuar kështu me vetëdije sjellje të tilla të dhunshme. I pandehuri i dytë, ndonëse ka qenë në dijeni të ndikimit të përmbajtjes që transmeton, sidomos tek të rinjtë, megjithatë nuk e ka ndalur dhe as e ka ndërprerë bashkëbiseduesin, por më tej e ka shtyrë atë të rrëfejë ngjarjen në fjalë me komente dhe pyetje”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Për veprën penale të përhapjes së materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik parashikohet dënim me burg nga një deri në pesë vjet, ndërsa prokuroria informoi se MPB-ja ka siguruar podcast-in dhe të gjithë materialin dëshmues që vërteton veprën.
Podkasti i diskutueshëm në kanalin e Stefan Llazarov në YouTube shkaktoi reagime të ashpra në opinion, ku reaguan Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, si dhe disa organizata dhe shoqata joqeveritare.
Pas ortekut të reagimeve, në një prononcim që më pas e ka fshirë, YouTuberi Lazarov ka mohuar që i ftuari në emision ka folur për përdhunim, ndërsa në Instagram ka akuzuar se në këtë rast është bërë fjalë për “përndjekje” ndaj tij.
- LEXO: Prokuroria ngriti akuzë kundër Llatasit dhe Llazarovit: Kanë promovuar dhunë ndaj grave
- LEXO: U fshi intervista e Latasit në kanalin e jutjuberit Llazarov
- LEXO: Organizatat mediatike e dënojnë gjuhën e Llatasit: Edhe sponsorët e programit të kërkojnë falje
- LEXO: Prokuroria hapi lëndë kundër Llatasit i cili në një emision ka treguar si ka abuzuar dhe përdhunuar një vajzë të rrahur
- LEXO: Publiku i indinjuar nga Llatasi dhe talljet e tij për dhunën ndaj grave në emisionin e jutuberit Lazarov