Gjykata Kushtetuese e shpalli vendimin e plotë për shfuqizimin e emrave në Tetovë, mungon dokumenti ku kërkohet pëlqim nga qeveria
Nëse Komuna e Tetovës apo Qeveria e Maqedonisë së Veriut do t’i dorëzonin Gjykatës Kushtetuese kërkesën e komunës për pëlqim nga qeveria për ndryshimin e emrave të rrugëve në vitin 2006/7, gjykata nuk do e kishte shfuqizuar vendimin. Por në mungesë të materialit, gjykata konstatoi se nuk është përmbushur detyrimi ligjor. Pyetja që nuk po merr përgjigje as nga pushteti lokal dhe as nga ai qendror është: A ka pasur kërkesë për pëlqim atë kohë, nëse jo, pse heshtin dhe nëse po, pse nuk ia kanë dorëzuar Gjykatës Kushtetuese, shkruan Portalb.mk.
Gjykata sot e publikoi vendimin dhe arsyetimin e plotë, ja çfarë thuhet
Trembëdhjetë ditë pas sjelljes së vendimit për shfuqizimin e vendimit të ndryshimit të emrave të disa rrugëve dhe sheshit në Tetovë të vitit 2007, Gjykata Kushtetuese sot e ka publikuar vendimin e plotë.
Ja çfarë thuhet në vendim:
Gjykata, për shkak të mosdorëzimit të dokumentacionit në tërësi, në katër raste i ka kërkuar Komunës së Tetovës të dorëzojë të gjithë dokumentacionin që i ka paraprirë miratimit të vendimit të kontestuar. Por nga ana e Komunës është dorëzuar vetëm Lista e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Komunën e Tetovës, nr. 07-1820/3, e miratuar më 30.11.2006 dhe e publikuar në “Gazetën Zyrtare të Komunës së Tetovës” nr. 18/2006 më 04.12.2006.
Më tej, Gjykata Kushtetuese në tre raste i është drejtuar edhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut me kërkesë për dorëzimin e pëlqimit të kërkuar, por ai nuk është dorëzuar.
Gjithashtu, nga shqyrtimi i dokumentacionit të dorëzuar u konstatua se nuk ka dëshmi se komuna ka dorëzuar kërkesë te Qeveria për dhënien e pëlqimit të nevojshëm, as akt me të cilin Qeveria ka dhënë pëlqim për Listën, në përputhje me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, për shkak të së cilës Gjykata konstatoi se ky kusht ligjor nuk është përmbushur.
Gjykata e ka dorëzuar Aktvendimin UZ.nr.10/2025 të datës 4 mars 2026 te miratuesi i aktit dhe te Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me kërkesë që të deklarohen lidhur me pretendimet në të.
Këshilli i Komunës së Tetovës ka dorëzuar vetëm përgjigje në të cilën thekson se në fazën e procedurës paraprake për miratimin e vendimit të kontestuar i janë drejtuar Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për marrjen e pëlqimit paraprak, por brenda afatit ligjor të paraparë në nenin 73 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, Qeveria nuk ka dorëzuar përgjigje, ndërsa mosdhënia e përgjigjes nuk paraqet pengesë juridike për vazhdimin e procedurës nga organi që e zhvillon procedurën.
Por Gjykata, gjatë marrjes së Vendimit, e ka pasur parasysh dispozitën ligjore të nenit 73 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili përcakton se nëse gjatë miratimit të një akti komunal kërkohet pëlqim paraprak nga një organ tjetër, ai organ duhet ta japë atë më së voni brenda 60 ditëve nga dita e dorëzimit të propozimit të aktit, ndërsa nëse organi nuk e jep pëlqimin e kërkuar, akti konsiderohet i pranuar ashtu siç është propozuar nga komuna, për shkak të së cilës Gjykata në disa raste gjatë procedurës paraprake i është drejtuar Komunës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për dorëzimin e të gjithë dokumentacionit që i ka paraprirë miratimit të vendimit të kontestuar, por ato nuk janë dorëzuar në tërësi. Gjithashtu, Komuna edhe në përgjigjen e dorëzuar lidhur me vendimin nuk e ka dorëzuar kërkesën e paraqitur për dhënien e pëlqimit paraprak te Qeveria, për shkak të së cilës Gjykata solli këtë vendim.
Sipas gjykatës, vendimi i kontestuar është në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, dhe me një veprim të tillë shkelet sundimi i së drejtës si vlerë themelore dhe siguria juridike si pjesë përbërëse e saj nga neni 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe neni 51 i Kushtetutës.

Heshtje nga komuna dhe qeveria
Portalb.mk kërkoi sqarime shtesë edhe nga Komuna e Tetovës se a ka pasur dhe nëse po, pse nuk ia kanë dorëzuar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për pëlqim e cila është dorëzuar në Qeveri atë kohë në vitin 2006/2007 dhe me çfarë date konkrete i është dorëzuar qeverisë së atëhershme ky propozim, por nuk morëm përgjigje.
As nga Qeveria dhe Ministria e Transportit nuk u përgjigjën nëse kanë pranuar kërkesë për pëlqim të ndryshimit të emrave në vitin 2006/2007.
BDI: Pse Komuna e Tetovës dhe Qeveria nuk e dorëzuan dosjen e plotë në gjykatë?
Zëdhënësja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli përmes disa reagimeve ditëve të fundit thotë se po qe se komuna dhe qeveria do ta dorëzonin kërkesën për pëlqim, edhe pse nuk ka pasur përgjigje pozitive nga Qeveria, gjykata nuk do ta shfuqizonte vendimin, sepse këtë e mundëson neni 73 i Ligjit për vetëqeverisje lokale.
“Sepse sikur ta dorëzonin, do të rezultonte se në vitin 2007 Komuna e Tetovës ka dërguar Kërkesë për pëlqim paraprak deri te Qeveria kurse Qeveria nuk është përgjigjur”, tha Bilalli Zendeli.

Çfarë thotë neni 73 i Ligjit për vetëqeverisje lokale?
(1) Nëse gjatë sjelljes së dispozitës së komunës kërkohet pëlqim paraprak nga organ tjetër, organi pëlqimin e jep më së voni në afat prej 60 ditësh nga dita kur i është dorëzuar propozim dispozita.
(2) Nëse pëlqimi paraprak nuk merret në afat nga paragrafi (1) i këtij neni, dispozita konsiderohet si e pranuar ashtu siç ka qenë e propozuar nga komuna.
Ishkryetari i Këshillit Komunal të Tetovës në kohën kur u soll vendimi, tani më i shfuqizuar, Resi Abdurahmani nga radhët e BDI-së, për Alsat ka deklaruar se asokohe, sipas tij kanë dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Transportit për të marrë pajtim për ndryshimin e emrave, megjithatë nuk kanë marrë përgjigje nga Ministria. Siç tha Abdurrahmani, heshtjen e Ministrisë, Komuna e ka llogaritur si përgjigje pozitive dhe për këtë këshilli e ka votuar në seancë.
Kronologjia e ngjarjes
Në opinion kanë vërshuar reagimet dhe akuzat pasi Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin Komuna e Tetovës i ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të qytetit. Por si qëndron e vërteta, si filloi gjithçka dhe pse u shfuqizuan këto emra, Portalb.mk sjell një kronologji të të gjithë procesit ndër vite.
Gjithçka nisi në 2007
Më 24.04.2007 në kohën kur Komuna e Tetovës udhëhiqej nga BDI-ja, kur kryetar ishte Hazbi Lika, Këshilli Komunal solli vendim për ndryshimin e emrit të sheshit dhe disa rrugëve nga emrat periudhës së komunizmit në emra të tjerë.
Sheshi i qytetit dhe shtatë rrugë morën emra në gjuhën shqipe, ndërsa tre rrugë u riemëruan në maqedonisht, edhe atë si vijon:
- Sheshi i qytetit “Marshall Tito” u emërua ‘Iliria’.
- Rruga ‘Marshall Tito’ u emërua ‘Iliria’.
- Rruga ‘JNA’ prej Kullës në rrugën ‘Ilindenska’ deri te udhëkryqi i rrugës ‘Bllagoja Toska’ u emërua ‘Dervish Cara’.
- Pjesa nga rruga ‘JNA’ prej udhëkryqit në rrugën ’Bllagoja Toska’ deri në fund të rrugës ‘JNA’ u emërua ‘Solunski Atentatori – Geminxhii’.
- Rruga ‘29 Nëntori’ u emërua ‘Mehmet Pashë Deralla’.
- Rruga ‘I.R.Llolla’ deri te Shkolla e Muzikës u emërua ‘Kongresi i Manastirit’..
- Pjesa nga rruga ‘I.R.Llolla’ nga Shkolla e Muzikës deri te udhëkryqi te Stadiumi i qytetit u emërua ‘Krushevska Republika’.
- Pjesa e rrugës ‘I.R.Llolla’ nga udhëkryqi te Stadiumi i qytetit deri në Poroj-Xhepçisht u emërua ‘Dëshmorët e Kombit’.
- Rruga ‘Boris Kidriç’ u emërua ‘Metodi Andonov Çento’.
- Rruga ‘R.Coniq’ u emërua në ‘Abdyl Frashëri’.
- Rruga ‘Lenin’ u emërua në ‘Sami Frashëri’.
Sipas Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, ky proces duhej të merrte pëlqim nga Qeveria.
Megjithatë ky vendim nuk mori pëlqim nga Qeveria e atëhershme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe PDSH.
Si rezultat, emrat e ri të rrugëve nuk figuruan në Kadastër dhe në Regjistrin Qendror, por u përdorën vetëm nga Komuna e Tetovës.
Nga institucionet qendrore vazhduan me vite të përdoren emrat e vjetër.
Në 2025 Lidhja e Luftëtarëve nga LNA-ja e kontestoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese
Më 11.02.2025, Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, parashtroi nismë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës me të cilin u ndryshuan emrat e rrugëve, gati dy dekada më vonë.
Sipas pretendimeve në iniciativë, vendimi i kontestuar është në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.
Në mars 2026 Gjykata Kushtetuese e pranoi nismën dhe hapi lëndë
Më 04.03.2026, Gjykata Kushtetuese solli vendim me të cilin hapi lëndë për vlerësimin e kushtetutshmërisë për ndryshimin e emrave të disa rrugëve dhe sheshit në Tetovë.
Qershor 2026, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin
Më 17.06.2026, me 5 vota “për” nga gjykatësit maqedonas, dhe votim ‘kundër’ nga dy gjyqtarët shqiptarë dhe ai i turk, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin u bënë ndryshimet e emrave të disa rrugëve dhe sheshit të qytetit.
Çili është arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese?
Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit për emrat e rrugëve të vitit 2007 në Tetovë:
Gjatë procedurës, për shkak të mosdorëzimit të dokumentacionit të plotë, Gjykata në katër raste kërkoi nga Komuna e Tetovës që të dorëzonte të gjithë dokumentacionin që i kishte paraprirë miratimit të vendimit të kontestuar. Megjithatë, nga ana e Komunës nuk u dorëzua as pëlqimi dhe as kërkesa për pëlqim që ishte dërguar te Qeveria, por vetëm Lista e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Komunën e Tetovës, e miratuar më 30.11.2006.
Më tej, Gjykata Kushtetuese në tri raste kërkoi nga Qeveria që të dorëzonte pëlqimin e kërkuar, por ai nuk u dorëzua.
Si rrjedhojë, nga shqyrtimi i dokumentacionit të dorëzuar u konstatua se Komuna e Tetovës nuk kishte paraqitur kërkesë pranë Qeverisë për marrjen e pëlqimit të nevojshëm dhe as nuk ekzistonte akt me të cilin Qeveria kishte dhënë pëlqim për Listën, në përputhje me nenin 5, paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore. Për këtë arsye, Gjykata konstatoi se ky kusht ligjor nuk ishte përmbushur.
Sipas nenit 5, paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, për miratimin e vendimi për ndryshimin e emrave kërkohet pëlqimi paraprak i Qeverisë.
Me miratimin e vendimit pa pëlqimin e nevojshëm të Qeverisë, Komuna e Tetovës ka shkelur parimin e sundimit të ligjit, të përcaktuar në nenin 8, paragrafi 1, alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe nenin 5, paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.
Komuna e Tetovës pati mundësi ta parandalonte shfuqizimin e vendimit
Udhëheqësia aktuale e Komunës së Tetovës e udhëhequr nga VLEN ka pasur mundësi që ta parandalojë Gjykatën Kushtetuese që të mos e shfuqizojë vendimin e vitit 2007 me të cilin Komuna e Tetovës i ndryshoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të qytetit, pasi BDI-ja në vitin 2007 e zhvilloi procedurën duke mos e respektuar në tërësi ligjin, por udhëheqësia komunale aktuale nuk veproi.
Nëse pas dorëzimit të nismës (shkurt 2025) dhe hapjes së lëndës (mars 2026) në Gjykatën Kushtetuese, Këshilli Komunal i Tetovës do të sillte vendim me të cilin vendimi i vitit 2007 do të shpallej i pavlefshëm dhe të votonte vendim të ri me pëlqimin e Qeverisë, atëherë Gjykata Kushtetuese nuk do të kishte bazë për ta vazhduar procedurën të cilën e hapi në mars. Sipas Nenit 39 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, procedura do të ndërpritej. Por kjo nuk ndodhi dhe gjykata e shfuqizoi vendimin e vitit 2007, me çka rikthehen emrat e vjetër nga periudha e komunizmit.

Nismë e re për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë që nga 2022 por pa epilog
Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë filloi por nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale.
Grupi i punës për këtë çështje u riformua në janar të këtij viti, ndërsa gjashtë muaj më vonë ende nuk ka diçka konkrete.
Albi Qamili, i cili është kryetar i këtij grupi punues tha se po punohet intenzivisht dhe se procesi është në fazën finale, ku janë pranuar 600 propozime për riemërimn e rrugëve.
Ai tha se me procesin për riemërimin e rrugëve, këto emra si që kanë qenë në vendimin e vitit 2007 do të barten në vendimin e ri, pra, do të mbeten.
“Nuk mund të jap afate, ajo që jam i sigurt është se brenda këtij viti do përfundojë si proces”, tha Qamili.
Nga opozita kanë kritikuar për zvarritje të procesit.
Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.