Gjykata kundër Korrupsionit në Shqipëri e kufizoi raportimin e gazetarëve nga proceset gjyqësore
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) i është bashkuar degës së saj në Shqipëri, Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), duke shprehur shqetësim për rregulloren e re të brendshme të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila vendos kufizime të konsiderueshme për qasjen e gazetarëve në proceset gjyqësore dhe raportimin prej tyre, transmeton Portalb.mk.
Rregullorja, e cila devijon qartë nga udhëzimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor të vitit 2023 për marrëdhëniet ndërmjet gjykatave, publikut dhe mediave, është miratuar në mënyrë jo transparente, pa konsultime paraprake.
Nga aty i bëjnë thirrje Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që menjëherë ta pezullojë hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje, me qëllim që të nisë një proces i mirëfilltë konsultimi me anëtarët e EFJ-së dhe palët e tjera relevante nga komuniteti i gazetarëve, si dhe të hartohet një kornizë transparente që respekton të drejtën për informim dhe seancat publike, në përputhje me ligjin dhe standardet e Bashkimit Evropian.
Nga aty theksohet se kjo rregullore e re e brendshme përbën dështim të qartë për transparencën e gjyqësorit ndërsa veçanërisht shqetësues është ndalimi që gazetarët të përdorin telefonat mobil gjatë seancave gjyqësore. Sipas nenit 14, paragrafi 7 të Udhëzimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, “seancat gjyqësore mund të regjistrohen dhe transmetohen në media”, për aq kohë sa kjo nuk bie ndesh me rregullat për një proces të rregullt ligjor. Ndalimi i përdorimit të telefonave mobil në sallat e gjyqit nuk është aspak i parëndësishëm, pasi pengon drejtpërdrejt raportimin në kohë reale dhe komunikimin e nevojshëm me redaksitë, për të siguruar mbulim të shpejtë dhe transparent të gjykimeve të profilit të lartë për korrupsion dhe krim të organizuar.
Në raportin e saj të fundit krahasues, të publikuar më 28 korrik 2026, AGSH paralajmëroi se Shqipërisë nuk i nevojiten kufizime të reja, por zbatim i qëndrueshëm i rregullave ekzistuese dhe vendime të arsyetuara për çdo kërkesë individuale. Gjithashtu, rekomandoi përdorimin e regjistrimit të pjesshëm në vend të ndalimeve të plota, në përputhje me udhëzimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Më 11 qershor 2026, disa televizione dhe media të shkruara shqiptare i dërguan letër Këshillit të Lartë Gjyqësor për të shprehur shqetësimin e tyre për vështirësitë e shumta me të cilat gazetarët përballen çdo ditë në seancat publike.
“Çdo rregullore me ndikim kaq të thellë mbi të drejtën e publikut për informim duhet të miratohet përmes një dialogu transparent. Ndalimi i përgjithshëm i mjeteve bazë të raportimit nuk është as i domosdoshëm dhe as proporcional. EFJ mbështet thirrjen e AGSH-së për të siguruar që çdo kufizim i proceseve gjyqësore të jetë i arsyetuar mirë, i bazuar në ligj dhe të respektojë të drejtën e mediave për ta informuar publikun lirshëm, profesionalisht dhe me përgjegjësi”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i EFJ-së, Rikardo Gutierez.