Gjykata kaloi për gjykim çështjen e Veliajt

Pas më shumë se 4 muajve në seancë paraprake, gjyqtarja Etleva Deda kaloi për gjykim kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nën akuzë për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg, raporton TopChannel.

Në të njëjtën dosje me Erion Veliajn do të gjykohen edhe 29 të tjerë, mes tyre bashkëshortja Ajola Xoxa, ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, Adela Kondakçi, Elman Abule, Linda Kazani, Ina Goxhaj, Flutur Xhani, disa biznesmenë të tjerë dhe organizata jofitimprurëse.

Vendimi për kryebashkiakun u shpall në mungesë të tij, por edhe të mbrojtjes, të cilët deklaruan se e kanë bojkotuar procesin për shkak të shkeljeve të rënda.

Megjithatë, në seancë ishte një avokate falas e caktuar nga shteti për Veliajn, në një kohë që funksionari dhe avokatët e tij nuk i kanë lexuar qëndrimet e tyre, ndonëse gjatë kësaj kohe kanë kërkuar aksesim të dosjes. Kërkesat kulmuan gjatë muajit dhjetor 2025, kur u pranua se burgjet nuk kishin infrastrukturë për t’i bërë të lexueshme nga Veliaj 61 mijë fletë hetimore të SPAK-ut.

Ndryshe ka vepruar në seancë paraprake bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, e cila kërkoi papërdorshmëri të akteve dhe kthimin për hetime të çështjes.

Dhjetë të pandehur, mes tyre Klotilda Bushka, Fatmir Bektashi dhe Adela Kondakci, kanë kërkuar gjykim të shkurtuar gjatë seancave paraprake. Të gjithë të tjerët, me përjashtim të Veliajt, kanë kërkuar gjykim të zakonshëm, por kanë ngritur një sërë pikëpyetjesh për hetimet.

Me kalimin në gjykim të dosjes “Veliaj”, që ndërkohë është në pritje të Gjykatës Kushtetuese, brenda dhjetë ditësh në Gjykatën Antikorrupsion hidhet shorti, prej nga do të caktohet trupa që do të gjykojë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, i cili ndodhet në burg që prej 10 shkurtit 2025.